​Hoti me premtim të ri: Këtë muaj do të arrijnë në Kosovë vaksinat e para anti-COVID 19

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti thotë se brenda këtij muaji (mars) do të arrijnë në Kosovë pritet të arrij kontingjenti i parë prej 33 mijë dozave të vaksinës COVAX. Hoti thotë se nga ky mekanizëm Kosova do të përfitoj 100 mijë e 800 doza të vaksinës anti COVID-19.

“Sa i përket furnizimit me vaksina, gjatë këtij muaji pritet të arrij kontingjenti i parë prej 33 mijë dozave të vaksinës COVAX. Nga ky mekanizëm Kosova do të përfitojë 100 mijë e 800 doza të vaksinës anti COVID-19, ndërkohë që janë duke u zhvilluar negociata intensive edhe me prodhues të tjerë për të siguruar numrin e nevojshëm të vaksinave me qëllim të imunizimit të plotë të popullsisë”, thuhet në komunikatën e zyrës së kryeministrit.

Këto deklarata Hoti i ka bërë në një takim që pati me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Armend Zemaj, drejtorin e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SShSKUK), Valbon Krasniqi dhe drejtorin e Instituti Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), Naser Ramdani ku diskutuan për situatën epidemiologjike kundër COVID-19.

Hoti kërkon që edhe më tej të respektohen masat antiCOVID-19.

“Pasi që vendi gjendet para një vale të re të shpërthimit të pandemisë COVID-19, u kërkua mirëmbajtja e masave në fuqi dhe respektimi i plotë i tyre. Ndërkohë që, institucionet shëndetësore janë duke punuar intensivisht për rritjen e kapaciteteve, sigurimin e barnave dhe rritjen e numrit të personelit mjekësor. Nga shtabet komunale, policia, AVUK-u dhe Inspektoratet, u kërkua që të rrisin angazhimin për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19 dhe në të njëjtën kohë të bëjnë respektimin rigoroz të masave në fuqi. Po ashtu, nga të gjithë qytetarët u kërkua që të respektojnë distancën fizike, të përdorin maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura”, citohet të ketë thënë Hoti