Ballina Ekonomi ​Dogana kthen mbrapsht 12 maune nga Serbia

​Dogana kthen mbrapsht 12 maune nga Serbia

Pas vendimit të Qeverisë në detyrë për plotësimin e masave të reciprocitetit me Serbinë, 12 transportues me mallra me origjinë nga Serbia janë kthyer mbrapsht nga Dogana e Kosovës pasi që nuk kanë qenë në përputhje me vendimin e qeverisë për emrin Republika e Kosovës.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci thotë për KosovaPress se pas vendimit të qeverisë që është marrë të shtunën asnjë maunë me mallra nga Serbia nuk është futur në Kosovë.

“Kemi kthyer deri tash 12 maune tani, gjashtë kanë qenë në pikën doganore në Jarinjë, të cilat nuk kanë qenë në përputhje me vendimin e Qeverisë, dhe gjashtë të tjerë janë kthyer në Merdarë që nuk kanë qenë në përputhje me vendimin e Qeverisë. Kryesisht mos përputhje me vendimin e qeverisë është tek pika 3 e vendimit e po ashtu edhe tek pika 1.1 dhe 1.2. Sot nuk kemi pasur asnjë dërgesë e cila ka ardhur”, theksoi Stavileci.

Përderisa për monitorimin e mallrave në brendi ose në tregun kosovar, Stavileci theksoi se kjo është përgjegjësi e Inspektoratit të Tregut në kuadër të MEPTINIS-it.

Megjithatë, ai theksoi se dogana bashkëpunon me të gjitha institucionet përkatëse për zbatimin e reciprocitet edhe në brendi të vendit.

“Sa i përket bashkëpunimit për pikat kufitare ne kemi bashkëpunim të mirë, derisa kompetenca e inspektoratit shtrihet në pjesën e brendshme të territorit të Kosovës ku aty dogana nuk ka kompetencë. Normalisht ne ofrojmë përkrahje për të gjitha institucionet, por si do qoftë është kompetencë ligjore e inspektoratit”, theksoi ai.

Ndërsa, Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike (MEPTINIS), ka urdhëruar largimin nga tregu vetëm të mallrave që kur janë importuar kanë qenë në kundërshtim me ligjin dhe vendimet që kanë qenë në fuqi në atë kohë.

Exit mobile version