​6 viktima dhe 88 raste të reja me Covid-19 në Maqedoninë Veriore

Për herë të parë pas shumë kohësh në Maqedoninë Veriore regjistrohet numër i ulët i rasteve ditore me Covid-19 në raport me testet e realizuara.

Në 24 orët e fundit, prej 1507 testeve janë diagnostikuar vetëm 88 raste të reja me CoVid-19. Për dallim nga java që lamë pas ku rreth 10% e të testuarve rezultonin pozitiv, sot kjo përqindje është vetëm 5,8.

Trendi i uljes së rasteve gjatë kësaj jave ka zbritur edhe mesataren e përgjithshme të të infektuarve në 10,4% ose thënë ndryshe nga 108,384 testet e bëra deri më tani pozitiv rezultuan 11,289 persona.

Përderisa 3557 është numri i rasteve aktive në vend, në 24 orët e fundit janë shëruar 113 pacientë, duke quar në gjithsej 7221 numrin e personave që fituan betejën me Covid-19.

Ndërkaq në 24 orët e fundit janë shënuar 6 viktima nga CoVid-19. Dy pacientë nga Shkupi dhe nga një pacientë nga Kumanova, Tetova, Gostivari dhe Shtipi. Që nga fillimi i pandemisë 511 persona humbën jetën nga virusi korona.