Ballina Lajmet Kosovë ​Opozita kundër “Ekipit të Unitetit” në bisedimet me Serbinë

​Opozita kundër “Ekipit të Unitetit” në bisedimet me Serbinë

Paritë opozitare Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, nuk është se e kanë mirëpritur propozimin e ministres për Dialog, Edita Tahiri e cila ka propozuar që në raundin e tretë të bisedimeve me Serbinë, të këtë një gjithëpërfshirje, ashtu siç ishte “Ekipi i Unitetit”, në bisedimet e Vjenës.

Ky propozim i Tahirit për Lëvizjen Vetëvendosje dhe Nismën për Kosovën konsiderohet si përgatitje për koncesione me Serbinë, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vlerëson se nuk është më rëndësi se kush përfaqëson në dialog, por formati i të biseduarit.

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri të mërkurën gjatë raportimit në Komisionin për Punë të Jashtme ka thënë se në fazën e tretë të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, e cila pritet të përmbyllet me njohje reciproke, të ketë një ekip ashtu sikur në bisedimet e Vjenës.

“Për mendimin tim, për fazën e tretë të dialogut që pritet të jetë fazë e përmbyllëse që do të rezultojë me njohjen reciproke mes të dyja shteteve Kosovës dhe Serbisë duhet një ekip që përfshinë prej presidentit të Kosovës dhe gjitha instancat tjera, pra instancat e institucioneve”, kishte thënë Tahiri.

Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se ky proces i bisedimeve ka favorizuar vetëm Serbinë, duke e futur brenda Kosovës në njërën anë, e duke e bërë më të pranueshme për Evropën në anën tjetër.

Tinka Kurti nga Vetëvendosje ka thënë për lajmi.net se gjatë gjithë bisedimeve janë bërë lëshime, ashtu siç ka ndodhur edhe në ato të Vjenës.

“Historiku i negociatave tregon qartë se ky lloj dialogu është nisur gabim, në kuptimin që nuk është kushtëzuar asnjëherë Serbia, e më pas në secilin raund, janë bërë lëshime të vazhdueshme. Kështu ndodhi edhe në negociatat e Vjenës, që s’janë në asnjë moment model, sado që znj. Tahiri përpiqet që të na e proklamojë si model, duke synuar që dështimet dhe përgjegjësinë t’i shpërndajë brenda një grupi uniteti gjithëpartiak”, ka thënë Kurti për lajmi.net, duke shtuar se kjo parti nuk do të marr pjesë në bisedime të tilla që nuk e ka kushte për Serbinë.

Ndërsa për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, çështja e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë nuk është çështje e grupeve dhe ekipeve që marrin pjesë në bisedime.

Muharrem Nitaj anëtarë i kryesisë dhe zëdhënës i kësaj partie ka thënë për lajmi.net se AAK, kur ka besuar se dialogu është në rrugë të mirë, e ka pasur përfaqësuesin e vet në bisedime, ndërkaq është larguar kur dialogu ka degraduar.

“Nuk është çështja nëse ne do ta mbështesim ose jo dialogun, për shkak të ndërrimit të njerëzve që e bëjnë këtë dialog, por për shkak të ndërrimit të formatit dhe përmbajtjes së këtij dialogu.

“Unë besoj se çështja është se duhet ndërruar formati e jo se kush merr pjesë në ekipet që do të zhvillojnë bisedime”.

“Nëse bisedimet me Serbinë ndërrojnë format dhe përmbajtje, e që qëllim final kanë njohjen e ndërsjellë të Kosovës dhe Serbisë, atëherë AAK do të ishte në gjendje të mbështesë këtë proces, pa marrë parasysh se a do të jetë vetë pjesë e ekipeve, në të kundërtën nuk do të jemi pjesë e grupeve me këtë format”, ka thënë Nitaj.

Sekretari i Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi ka thënë se nëse një kërkesë e tillë vije nga Tahiri, atëherë janë duke u përgatitur koncesione të reja.

“Nëse Edita Tahiri kërkon një lloj dialogu sikur në kohën e bisedimeve në Vjenë, atëherë paskan përgatitur koncesione të reja me Serbinë . Se po të ishin tema për të cilat do të fitonte Kosova, nuk do të ishte e gatshme as Edita e as shefat e Edtiës nuk do të na thërrisnin”, ka thënë Sherifi, për lajmi.net.

Një ndryshim të formatit të bisedimeve me Serbinë e ka përmendur edhe presidenti Hashim Thaçi.

Exit mobile version