Zyrtari i NATO-s në konferencë nga Beogradi: Nuk jemi kundër ushtrisë së Kosovës

Robert Pszczel gjatë një konference për media në Beograd ka thënë se NATO nuk është kundër krijimit të ushtrisë së Kosovës.
Zyrtari i lartë nga Departamenti i Diplomacisë Publike në NATO, Robert Pszczel gjatë një konference për media në Beograd ka thënë se NATO nuk është kundër krijimit të ushtrisë së Kosovës, por ka kërkuar që procesi i transformimit të bëhet në përputhje me Kushtetutën.

Pszczel ka theksuar se transformimi i forcave të sigurisë së Kosovës është e drejtë e qeverisë nga Kosova.

Mirëpo, ai theksoi se çdo formë e transformimit duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe me konsultime me bashkësinë ndërkombëtare, transmeton lajmi.net.

“Nëse do ua merrnim atë të drejtë, e dimë se si do të jetë situata atje dhe çfarë kuptimi do të kishte”, deklaroi Pszczel. Sipas tij, nuk planifikojnë plane për zvogëlimin e forcave të KFOR-it në Kosovë, por misioni i tyre varet edhe nga gjendja e sigurisë në vend.

Qëndrimi i NATO-s është se duhet të vazhdohet kërkimi për një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët, theksoi Pszczel, transmeton lajmi.net.

Kurse, ndihmës Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Branimir Filipoviq ka thënë se qëndrimi i Serbisë për transformimin e forcave të sigurisë së Kosovës në ushtri është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara.