Zyrtarët gjermanë vizitojnë Specialen, paralajmërohen dënime për figurat e larta politike në Kosovë

Zyrtarë gjermanë kanë qëndruar dje në objektin e Gjykatës Speciale në Hagë.

Zyrtarët gjermanë që vizituan Dhomat e Specializuara të Gjykatës, i përkasin Komisionit të Gjermanisë për të Drejtat e Njeriut dhe ndihmën humanitare, shkruan lajmi.net.

Ata në objektin e Speciales në Hagë u pritën nga presidentja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova.

Kjo e fundit, ndonëse foli pak gjatë vizitës së gjermanëve atje, tha se është falënderuese për ndihmën e Gjermanisë dhënë këtij institucioni.

Tha se Specialja do të jetë gjykatë e pavarur, për të zhvilluar procese të drejta, të paanshme dhe të sigurta.

“Unë jam mirënjohëse për Republikën Federale të Gjermanisë për mbështetjen e saj ndaj Dhomave të Specializuara dhe mandatin e saj si një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e ligjit, e themeluar me mbështetjen e BE për të zhvilluar procese të drejta, të paanshme dhe të sigurta”, citohet të ketë thënë Trendafilova.

Pjesa më interesante e kësaj vizite është deklarata e udhëheqësit të delegacionit gjerman, Jurgen Braund.

I njëjti, paralajmëroi se të dënuar mund të jenë edhe anëtarë të qeverisë aktuale, mirëpo pa përmendur emra.

“Është e rëndësishme të thuhet se Gjykata dëshiron të sjellë drejtësi për kryerësit e krimeve të luftës gjatë kohës që ata ishin në UÇK. Në të ardhmen mund të dënohen edhe anëtarë të qeverisë aktuale në Kosovë”, citohet pjesa e fundit e deklaratës së lëshuar nga Braun.

Sidoqoftë, se aktakuzat janë afër po konfirmohet çdo ditë e më shumë.

Gjatë ditës së djeshme në Kosovë kanë qëndruar zyrtarë të Speciales, të cilët kanë zhvilluar takim me avokatët e akredituar nga ky institucion, mirëpo që nuk dihet se cila ishte temë e diskutimit.