Zyrtare: BDI, me 2 zv/kryeministra e 4 ministra në Qeverinë Zaev

Bashkimi Demokratik për Integrim zyrtarizoi emrat e ministrave të tij në kabinetin qeveritar, të gjithë kuadro të përgatitur, sipas kreut të partisë Ali Ahmeti.

BDI-ja do të ketë dy zv.kryeministra në qeverinë e Zoran Zaevit, atë për Sistemin Politik dhe Marrëdhëniet mes Komuniteteve, si dhe zëvendëskryeministrin për integrimin evropian. Kjo parti do të marrë edhe Ministrinë e Drejtësisë, atë të Mjedisit dhe Ministrinë e Ekonomisë, raporton TopChannel.

Megjithatë polemikat nuk kanë munguar dhe disa analistë vendas thonë se, pjesa më e madhe e emrave të propozuar kanë shërbyer në qeveritë e mëparshme me Nikola Gruevskin.

Lëvizja BESA, ndërkohë, pritet që gjatë ditës së sotme të organizojë një konferencë për shtyp, ku do të shpalosë qëndrimet e saj rreth pjesëmarrjes ose jo në ekzekutivin e ti, të drejtuar nga kreu i LSDM-së.

Deri tani, kjo forcë politike ka bërë të qartë se nuk ka biseduar për poste ministrore dhe se diskutimet e deritanishme janë përqendruar ekskluzivisht te parimet dhe qëndrimet e saj, sesi duhet të jetë qeveria e ardhshme e Maqedonisë.

Nga ana tjetër, Ziadin Sela kujtoi edhe njëherë se shqiptarët presin rezultate konkrete nga mbështetja që i dhanë Zaevit, duke nisur me Reformën në Drejtësi. Në Kongresin e 22-të të Partisë Social-Demokrate, Zaev premtoi para 700 delegatëve fundin e ndasive dhe reforma rrënjësore për vendin.

Ai u rizgjodh kryetar i partisë, vend për të cilin ishte edhe kandidati i vetëm. Në fjalimin e mbajtur në Kongres, Zaev theksoi se ka shumë punë përpara qeverisë së re, e nuk do të lejojë të përsëritet e keqja që VMRO-DPMNE-ja i bëri – sipas tij, – shtetit maqedonas.

Emrat e BDI-së

1. Hazbi Lika, zv.kryeministër për Sistemin Politik dhe Marrëdhëniet midis komuniteteve;

2. Bujar Osmani, zëvendëskryeministër për Bashkimin Europian (i Integrimit);

3. Bilen Saliu, ministër i Drejtësisë;

4. Sadulla Duraku, ministër i Ekologjisë;

5. Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

6. Ramiz Merko, ministër pa portofol.