Zyra e Auditorit shpalos mangësitë e projekteve në Agjencinë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale

Zyra Kombëtare e Auditimit në Kosovë ka bërë publike të gjeturat e saj në institucionet publike.

Nga të gjeturat e kësaj Zyre në Agjencinë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, është vënë në dukje një keqmenaxhim në planifikimin e projekteve, ku si rezultat kjo kishte reflektuar me krijimin e kostove shtesë.

Nga të gjeturat e Auditorit, bëhet e ditur se në këtë Agjenci, për projektet në Kompleksin Memorial ‘Dëshmorët e UCK-së‘ në Penuhë, për Kompleksin Memorial ’Masakra e Raqakut’, për Kompleksin Memorial ’27 Prilli’ në Gjakovë, për Kompleksin Memorial ’Varrezat e Dëshmorëve të UÇK-së’, në Marinë si dhe për Kompleksin Memorial ’Dëshmorët e Kombit’ në Vrellë, ishin kontraktuar punë shtesë me vlerë prej 170 mijë e 203 eurosh.

“Kjo kishte ndodhur si rezultat i mangësive që kanë projektet dhe projektimeve jo të analizuara mirë për ndërtimin e komplekseve. Punët shtesë janë arsyetuar nga menaxheri i kontratës dhe lejohen edhe me ligj, megjithatë vërehet se është bërë dukuri e shpeshtë, dhe po përsëritet nëpër vite”, bëhet e ditur nga Zyra e Auditorit, shkruan lajmi.net.

Ashtu siç bëhet e ditur, punët shtesë janë arsyetuar nga menaxheri i kontratës dhe lejohen me ligj, megjithatë vërehet se është bërë dukuri e shpeshtë, dhe po përsëritet nëpër vite.

Sipas ZKA-së, planifikimet jo të mira të projekteve rezultojnë me nevojën për ndryshime në projekte, dhe kjo reflekton drejtëpërdrejtë në krijimin e kostove shtesë. Si rezultat i kësaj, këto punë shtesë i rrezikojnë fondet e ndara për projekte tjera duke pamundësuar financimin e projekteve të reja.

Me këtë rast, Zyra e Auditorit i ka rekomanduar Drejtorit të Përgjithshëm duhet të sigurojë që të gjitha projektet e planifikuara të jenë të hartuara dhe të detajuara mirë. Sipas këtij rekomandimi, kjo do të shmangte fillimin e projekteve jo cilësore dhe do të evitonte punët shtesë.