Zvicra i jep lajmin e madh Hadërgjonajt

Prurja e re e Kosovës, Florent Hadërgjonaj përmes rrjetit social Instagram ka konfirmuar se Zvicra i ka dhënë leje që tash e tutje të përfaqësojë Kosovën.

Pesë ditë më herë, Federata e Futbollit të Kosovës njoftoi se mbrojtësi i Huddersfield ka vendosur të bashkohet me ‘Dardanët’, ku pritet të debutojë qysh në ndeshjet e qershorit.

Ndërsa sot është konfirmuar nga vetë Hadërgjonaj se ka marrë leje nga Zvicra për t’iu bashkuar kombëtares së Bernard Challandes, pasi bëri një paraqitje zyrtare për helvetikët, përcjell lajmi.net.

“Të dashur fansa. Pasi e kam shqyrtuar mirë, kam vendosur që të luaj me Kombëtaren e Kosovës. E falënderojë Zvicrën për mbështetjen që ma ka dhënë gjatë këtyre viteve dhe për lejen që më dhanë të luaj për Kosovën. Fat të mirë Kombëtares së Zvicrës në Portugali”, ishte njoftimi i Hadërgjonajt në Instagram.

24-vjeçari ka qenë pjesë e ekipeve zinxhirore të Zvicrës, ndërsa debutimin me Kosovës pritet ta bëjë në ndeshjet e qershorit, kundër Malit të Zi dhe Bullgarisë.