Zjarret në Kaliforni, rritet në 44 numri i të vdekurve

Shteti federal i Kalifornisë në SHBA është ballafaquar me tri zjarre të mëdha pyjore të cilat janë shtrirë në të gjitha qytetet ku numri i të vdekurve është rritur në 44, raporton Anadolu Agency (AA).

Sherifi i rajonit Butte, Cory Honea, njoftoi se mbetjet mortore të 13 personave u gjetën në zonën e djegur.

Numri i të vdekurve në Kaliforninë veriore është rritur në 42, me çka ky është zjarri më vdekjeprurës në historinë e këtij shteti amerikan.

Honea tha se më shumë se 200 persona ende trajtohen si të zhdukur në qytetin Paradise, i cili ndodhet në rrugën e zjarrit që shtrihet përgjatë 450 kilometrave në atë rajon.

Më shumë se 7.000 ndërtesa janë djegur plotësisht nga zjarri me të cilin vazhdojnë të luftojnë mijëra zjarrfikës.

Në të njëjtën kohë, dy zjarret vazhdojnë të jenë aktiv në jug të Kalifornisë në qytetin luksoz Malibu. Deri më tani, janë gjetur trupat e dy të vdekurve në zonë.

Qyteti është rrethuar nga stuhia e zjarrit dhe është urdhëruar evakuimi i 300 mijë banorëve nga rajoni i rrezikuar.

Në zjarret në Malibu u dogjën vila të shumta të figurave të famshme nga bota e filmit dhe muzikës, si Gerard Butler, Miley Cyrus, Scott Baio, Guillermo del Toro, Kim Kardashian, Alyssa Milano dhe Rainn Wilson.

Shkalla e zjarrit në veri dhe në jug të Kalifornisë më së miri e përshkruan fotografia e publikuar nga Agjencia amerikane hapësinore NASA, një foto e marrë nga hapësira ku shfaqen retë e mëdha të tymit mbi Kaliforni.