Zjarret në Kaliforni, evakuohen rreth 100 mijë njerëz

Për më shumë se dy javë, zjarret po bëjnë kërdi në zonat pyjore në jug të shtetit federal të SHBA-së, Kaliforni, të cilat janë përhapur në një zonë prej më shumë se 900 kilometra katrorë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Rreth 100 mijë njerëz janë evakuar për shkak të stuhisë së zjarrit. Aktualisht në evakuim janë përfshirë vetëm luginat e largëta nga zonat e egra.

Zjarri i quajtur “Thomas” mund të jetë zjarri më i madh në historinë e Kalifornisë. Njësitet zjarrfikëse ende janë në terren dhe natë e ditë përpiqen të vënë nën kontroll zjarret që shpërthyen në gjashtë vende të ndara.

Paralajmërimet për zjarr me rrezik të lartë u hoqën nga zona Santa Barbara, megjithëse ajo mbeti në fuqi në pjesët e tjera të Kalifornisë së Jugut.

Zjarret kërcënojnë rreth 18 mijë shtëpi dhe objektet tjera banesore. Stuhia e zjarrit nga 4 dhjetori mori dy jetë njerëzish dhe shkatërroi të paktën 750 shtëpi.

Zjarret përhapen në një zonë të gjerë nga Ventura në veri të Los Angelesit deri në San Diego në jug.