Zhdukja e gazetarit Khashoggi, mister që pret të zbardhet

Misteri i gazetarit saudit Jamal Khashoggi, i cili u zhduk më 2 tetor pasi hyri në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll, është duke pritur të zbardhet, shkruan Anadolu Agency (AA).

Zhdukja e njërit prej gazetarëve më aktivë të Lindjes së Mesme, Khashoggi, i cili ishte kolumnistit i gazetës Washington Post dhe kontribues në gazetën Al Watan, ende vazhdon të ngelet një mister.

Teksa zyrtarët sauditë nuk kanë dhënë ndonjë deklaratë të qartë në lidhje me fatin e gazetarit të humbur, shumë shtete, përfshirë Turqinë, SHBA-në dhe Britaninë, kanë që rasti i tij të zbardhet sa më parë.

Sipas deklaratave të të fejuarës së tij, Hatice Cengiz, Khashoggi fillimisht kishte shkuar në Konsullatën Saudite më 28 shtator për dokumentacione në lidhje me martesën e tij. Atij i është thënë se dokumentet do të jenë gati pas një javë, me çka Khashoggi atë mbrëmje shkoi në Londër, për t’u rikthyer në Stamboll më 1 tetor.

Ai shkoi në konsullatë më 2 tetor së bashku me të fejuarën e tij, pasi me t’u kthyer në Stamboll kishte telefonuar zyrtarët e saj, të cilët i kishin thënë të vinte pasi dokumentet janë duke u përgatitur. Khashoggi kishte kërkuar nga Hatice Cengiz që nëse nuk del nga konsullata në kohëzgjatje deri në dy orë, të lajmëronte këshilltarin e kryetarit të AK Partisë, Yasin Aktay, dhe Shoqatën Mediatike Turko-Arabe. Khashoggi hyri në Konsullatën Saudite në lagjen Levent të Stambollit më 2 tetor në ora 13:14.

Ashtu siç kishte kërkuar, pasi nuk doli në brenda kohës të cilën kishte thënë, Hatice Cengiz në ora 16:00 lajmëroi Yasin Aktay dhe Shoqatën Turko-Arabe. Në orën 18:00, një zyrtar nga konsullata i ka thënë asaj se “Ai tashmë ka dalë dhe nuk ka nevojë të prisni këtu”.

– Deklarata e parë nga konsullata

Mbretëria e Arabisë Saudite më 4 tetor bëri një deklaratë në rrjetin social Twitter, në të cilën thuhej se shtetasi i tyre Khashoggi është humbur pasi ka dalë nga ndërtesa e konsullatës.

– Nisja e hetimit

Prokuroria Publike e Stambollit më 6 tetor nisi një hetim në lidhje me rastin.

Në të njëjtën ditë, burimet policore konfirmuan informacionin se Khashoggi nuk kishte dalë nga konsullata pas hyrjes më 2 tetor. Burimet njoftuan se në orët e njëjtë, 15 shtetas sauditë, përfshirë edhe zyrtarë, të ardhur në Stamboll me dy avionë, janë ndodhur në konsullatë, ndërsa më pas janë kthyer në shtetet nga të cilat kishin ardhur.

Avioni i parë me shtetasit sauditë zbriti në Aeroportin Ataturk më 2 tetor në ora 3:28 dhe u largua në orën 17:40. Ndërkaq, avioni tjetër i ardhur nga Arabia Saudite zbriti në Aeroportin Ataturk në ora 17:30 dhe u largua nga ky aeroport në ora 21:44.

Nga ana tjetër, në pah kanë dalë xhirimet e kamerave nga hyrja e Khashoggi-t në konsullatë dhe hyrjet dhe daljet e dyshimta atë ditë në të, si dhe lëvizje në Aeroportin Ataturk.

– Deklarata e dytë nga konsullata

Konsullata e Arabisë Saudite bëri një deklaratë tjetër më 7 tetor në Twitter.

“Një burim i Konsullatës së Mbretërisë së Arabisë Saudite në Stamboll hodhi poshtë akuzat në deklaratat e botuara nga agjencia e lajmeve Reuters, e cila citoi zyrtarë turq, se Jammal Khashoggi është vrarë në Konsullatën Saudite në Stamboll”, thuhej në deklaratën e publikuar në gjuhën arabe dhe turke.

“Burimi hodhi poshtë fuqimisht këto akuza të pabaza dhe pyeti nëse këto deklarata janë bërë nga persona që njohin çështjen ose nga zyrtarë të vërtetë turq. Burimi tha se një delegacion i sigurisë i autoriteteve saudite erdhi në Stamboll të shtunën me pëlqimin e palës vëllazërore turke për të marrë pjesë në hetimet për zhdukjen e shtetasit saudit Jamal Khashoggi me kërkesë të palës saudite. Burimi theksoi ndjeshmërinë e lartë dhe kujdesin e mbretërisë për sigurinë e qytetarëve të saj kudo që janë”, thuhej më tej në deklaratë.

Në ndërkohë, zyrtarët e konsullatës i hapën dyert për gazetarët e agjencisë së lajmeve Reuters, duke pohuar se Khashoggi nuk gjendet në të.

– Ambasadori saudit thirret dy herë në MPJ-në turke

Ambasadori i Arabisë Saudite në Ankara, Walid Bin Abdul Karim El Khereiji, u thirr në Ministrinë e Jashtme të Turqisë dy herë, më 4 dhe 7 tetor, në lidhje me rastin Khashoggi. Atij iu kërkua “bashkëpunim i plotë” në procesin hetimor.

Ministria e Jashtme e Turqisë përmes një deklarate njoftoi se në kuadër të hetimit për zhdukjen e gazetarit Khashoggi, në Konsullatën Saudite në Stamboll do të bëhet ekzaminim. Prokuroria Publike e Stambollit emëroi një zëvendëskryeprokuror dhe një prokuror publik për t’i udhëhequr procedurat ligjore në konsullatë.

Punimet gjithëpërfshirëse në lidhje me zhdukjen e Jamal Khashoggi janë duke vazhduar.