Zhduket një avion në të cilin gjendej futbollisti i Cardiff City

Një avion në të cilin raportohet se udhëtonte edhe lojtari argjentinas i sapotransferuar në klubin e Premier Ligës Angleze Cardiff City, Emiliano Sala, është zhdukur mbrëmë gjatë udhëtimit nga Franca për në Uells, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kontakti i avionit të markës Piper Malibu që është nisur nga Nantes për të udhëtuar drejt kryeqytetit uellsian Cardiff është ndërprerë në afërsi të Ishullit Guernsey në Kanalin e La Manshit, raportoi BBC.

“Ka shqetësime të vërteta se 28-vjeçari gjendej në avion”, tha transmetuesi britanik.

Njësitë e Sigurisë Bregdetare të Mbretërisë theksuan se avioni i zhdukur nuk është në fushën e tyre të veprimit, megjithatë, kanë dërguar dy helikopterë për të ndihmuar.

Ndërkaq, Shërbimi Meteorologjik i Britanisë së Madhe njoftoi se kushtet atmosferike dhe shpejtësia e erës kanë qenë në nivele të papërshtatshme gjatë fluturimit, duke shtuar se reshjet dhe era janë intensifikuar edhe më tepër gjatë aktiviteteve të kërkimit.

Cardiff City transferoi në radhët e veta futbollistin Sala më 19 janar për 17 milionë euro nga klubi francez Nantes.