Zgjidhja nëse ju thyhet ekrani i telefonit

Disa telefona janë më të fortë se të tjerët, por kjo nuk do të thotë se janë imunë ndaj thyerjes. Ekranet e telefonave janë prej xhami dhe në fund të fundit, kur bien në tokë, thyhen. Portali mbi teknologjinë “CNET”, sjell disa gjëra që mund të bëni nëse ju thyhet ekrani i telefonit.

Shfrytëzoni garancinë

Nëse pajisja juaj është e re, gjëja e parë që duhet të bëni është ta dërgoni telefonin tek prodhuesi. Çmimi për një ekran të thyer varion nga pajisja. Kjo është më e shtrenjtë se të shkosh në një dyqan riparimi telefonash, por nëse garancia është e vlefshme, telefoni do t’ju riparohet komplet ose mund t’ju zëvendësohet me një të ri.

Drejtuesit e Samsung po marrin në konsideratë që të shtojnë “Samsung Protection Plus”, njëlloj si “Apple Care”. “Samsung Protection Plus” është një garanci më afatgjatë, për të gjitha pajisjet e Samsung. Kushton nga 99 – 129 dollarë për dy vite.

Riparojeni në një dyqan

Nëse telefoni është i vjetër ose jashtë garancisë do të kurseni para duke shkuar në një dyqan pjesësh zëvendësuese. Kjo ka disa përfitime… Njëra prej tyre është që e riparojnë në më pak se një orë.

Pranojeni faktin

Ekrani i thyer nuk e pengon përdorimin e tij. Do të duhet të duroni gërvishtjet, derisa të blini një telefon të ri. Nëse krisjet janë në zona të përdorshme, mund të shfrytëzoni një mbrojtës ekrani për gishtat tuaj.