“Zgjedhjet sa më shpejt”/ Basha: s’e kemi problem sistemin

Kreu i opozitës deklaroi gjatë një konference për shtyp, se PD do të kërkojë zgjedhje të parakohshme një orë e më parë.

Sipas Bashës problem nuk është sistemi zgjedhor, problem mbetet krimi në politike dhe paratë e pista.

Basha: PD dhe opozita pranon çdo sistem që vendosin shqiptarët. PD ka fituar në çdo sistem. Diskutimi për sistemin është shërbimi më i mirë për të larguar vëmendjen nga problemi numër 1 dhe i pazgjidhur, kriminalizimi i vendimarrjes politike nga Rama.

Pyetje: Dua të ndalem tek një deklaratë e juaja në prill të vitit 2019. Ju thoni: “Ka ide të vlefshme si lista të hapura ku qytetarët të vendosin jo thjesht për siglat e parties, por të vendosin kë preferojnë nga listat e deputetëve, për një parlament që ka deputetët që e lidhin fatin me qytetarët sepse kjo është një garanci që i shërben interesave të qytetarëve”. Çfarë ka ndodhur që keni ndryshuar qëndrim dhe tashmë thoni se çfarëdo sistemi zgjedhor do të dështojë të rrisë cilësinë e përfaqësimit?

Lulzim Basha: Nuk është ndryshim qëndrimi. Është i njëjti qëndrim. Ta ndajmë politikën nga krimi, të pamundësojmë paratë e pista dhe kriminelët si njerëzit që vendosin se kush do të jetë parlamentar e kush do të jetë qeveritar, të ndëshkojmë krimin elektoral, le ta zgjedhë Edi Rama sistemin, po të dojë. Ta zgjedhë kush të dojë sistemin. PD ka fituar me mazhoritar të pastër, ka fituar me mazhoritar me korrektim proporcional, ka fituar me proporcional, nuk është problemi i sistemit. Problemi është nëse zgjedhjet e ardhshme do të jenë zgjedhje ku do të vendosin shqiptarët apo zgjedhje ku do të vendosë prapë krimi i organizuar. Padyshim për mua, procesi duhet të takojë vetëm përmes konsultimit me të gjithë shqiptarët. Ky nuk mund të jetë më një proces, i cili i takon një, dy, apo qoftë edhe tre partive. Do të jetë një proces që t’u takojë të gjithë qytetarëve shqiptarë. Ajo që kam thënë është se “është një iluzion i rrezikshëm të thuash se për të gjitha e ka fajin sistemi.”. Është njësoj si të thuash që “po shkojmë në drejtimin e gabuar dhe fajin e kanë këpucët.” Për pushtetin lokal sistemi e ka fajin? Se 1 në 10 kryebashkiakë tani kanë dalë kriminelë. Të jesh e sigurtë se ka më shumë. Pyetja është retorike, natyrisht, nuk pres përgjigje. Sistemi e ka fajin? Natyrisht që jo. Kush i vuri ata kriminelë kryebashkiakë? Është një fyerje edhe për socialistët, se kanë edhe ata fëmijë që i kanë çuar nëpër shkolla, kanë investuar, i kanë edukuar, i kanë arsimuar. Si mund të shkojë dora gjithmonë tek një përdhunues, tek një hajdut, tek një drogaxhi. Kurrë nuk të shkoi dora tek një njeri me vlera?!

Pra duhet të jemi fare të qartë.

Partia Demokratike, unë opozita e bashkuar nuk kemi absolutisht asnjë problem me një sistem që ka apo do të ketë nesër mbështetje popullore. Kam qenë dhe mbetem i hapur në emër të Partisë Demokratike, në emrin tim, në emër të opozitës së bashkuar për çdo sistem, me kusht që të jetë produkt i një sistemi transparent dhe gjithpërfshirës të të gjithë qytetarëve shqiptarë. Nga ana tjetër kam thënë dhe dua ta përsëris se futja e diskutimit tek sistemi është shërbimi më i mirë për të larguar vëmendjen nga problemi numër një që ka sot Shqipëria, që është kriminalizimi i vendimmarrjes politike nga Edi Rama.

Prandaj në këtë kuadër do të jem i lumtur të pranoj verdiktin e qytetarëve shqiptarë për çfarëdo sistemi që dëshirojnë. Unë personalisht preferoj maxhoritarin e pastër. Por edhe ai do të dështojë, siç ka dështuar nëse ne nuk ndajmë politikën nga krimi, nëse ne nuk zbrapsim paratë e pista dhe të oligarkëve, nëse ne nuk ndëshkojmë krimin elektoral. Nuk kam absolutisht asnjë problem me sistemin e listave të hapura apo listave kombëtare. Është një vendim që u takon shqiptarëve. Por, është gjëja më e gabuar nëse diskutimi për dekriminalizimin e politikës, për ndarjen e politikës nga krimi, përfundon në diskutimin për sistemin. Është nderi më i madh që i bëhet Edi Ramës, kriminelëve të tij në Parlament, kriminelëve të tij në bashki, njerëz që sot fitojnë qindra, mijëra, miliona euro çdo ditë në kurriz të shqiptarëve.

E vetmja mënyrë për ta zgjidhur këtë është ta ndajmë politikën nga krimi.