Zgjedhjet në veri, Policia me plan operativ për incidentet e mundshme

Sot në katër komunat e veriut po zhvillohen zgjedhjet për kryetarë.

Në garë do të jenë tri subjekte politike, teksa dy prej tyre janë shqiptare, shkruan lajmi.net.

Vetëvendosje dhe PDK do të sfidojnë Listën Serbe në katër komunat e banuara me shumicë jo shqiptare.

Zgjedhjet e nesërme janë paralajmëruar se do të përcillen edhe me incidente, mirëpo nga Policia e Kosovës po tregohen të gatshëm për ruajtjen e rendit dhe qetësisë.

Në një përgjigje për lajmi.net nga Policia e Kosovës, është thënë se kjo e fundit e ka përgatitur me kohë planin operativ për këtë proces zgjedhor.

“Policia e Kosovës e ka përgatitur me kohë urëdhrin operativ për këtë proces zgjedhor ku qëllimi kryesor është krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e komunave respektive gjatë tërë procesit zgjedhor”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Qëllim tjetër, sipas Policisë së Kosovës është edhe ruajtja e qetësisë pas procesit të zgjedhjeve.

“Qëllim tjetër është mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para – gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve. Monitorimi / mbulimi me Polic, i fushatës parazgjedhore, ruajtja e rendit dhe qetësisë publike (RQP-së) në tubime paralektorale të partive politike/ kandidatëve dhe procedimi i kërkesave dhe raporteve të monitorimit sipas ligjeve pozitive të vendit”, kanë thënë tutje nga Policia e Kosovës.

E Policia e Kosovës ka paralajmëruar inicimin dhe procedimin e çdo vepre penale gjatë këtij procesi zgjedhor.

Sipas tyre, kjo do të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit.

“Inicimi dhe procedimi i çdo vepre penale (VP) kundër të drejtës së votimit dhe ndërrmarja e të gjitha masave proceduralo/ penale ndaj çdokujt që bie në ndesh me ligjet e RKS-së që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokrate në koordinimin dhe bashkëpunimin të ngushtë me Prokurorin e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në Ligj”, kanë thënë në fund Policia e Kosovës.

Për nesër, vizitë në Kosovë ka paralajmëruar edhe drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Mirëpo ministria e Jashtme e Kosovës atij nuk i ka dhënë leje për të hyrë në territorin e vendit.

SHPËRNDAJE