Zëvendësshefi i BE-së thotë se taksa është e papranueshme

Riccardo Serri, zëvendësshefi i zyrës së BE-së, ka dalë sot para Komisionit për Integrime Evropiane për të folur rreth Raportit të Kosovës për vitin 2019.

Ai ka ripërsëritur se taksa është një vendim i papranueshëm për BE-në.

“Vazhdoj ta përsëris qëndrimin kritik të BE-së – ky vendim nuk është në të mirën e vendit”, tha Serri.

Para se Serri ta marrë fjalën, ka folur edhe kryetarja e këtij komisioni, Blerta Deliu-Kodra.

Ajo tha se Kosova sipas këtij raporti ka shënuar progres në luftën kundër terrorizimit dhe ka pasur avancim në fushën e zbatimit të reformave europiane.

Deliu-Kodra tha se mbetet akoma për të bërë, sidomos në respektimin e të drejtave të njeriut.

Ndërkaq mysafiri nga zyra e BE-së deklaroi se Raporti për Kosovën këtë vit ka pasur për qëllim që të tregojë se sa ka bërë vendi në rrugën drejt Bashkimit Europian, njofton Klan Kosova

Një tjetër çështje që e përmendi zëvendësshefi i BE-së ka të bëjë me punën e Kuvendit.

Sipas tij, kjo legjislaturë ka prodhuar goxha shumë ligje, por që është shumë i politizuar duke shtuar se shpesh nuk ka kuorum dhe ka vonesa në miratimin e ligjeve.

Serri vazhdoi me atë që e quajti si pjesë kryesore të raportit dhe që ka të bëjë me zbatimin e reformave në Administratën Publike.

Përkundër progresit të bërë me miratimin e legjislacionit, sipas Serrit duhet ende punë shtesë në zbatimin e tij.

“Edhe nxjerrja e Ligjit Kundër Korrupsionit është për t’u përshëndetur, por që i njëjti duhet të zbatohet në përpikmëri”.

Për të është fort pozitiv edhe roli i shoqërisë civile e cila është një prej pikave me të cilën Kosova duhet të krenohet.

Ky tha se zgjerimi i BE-së është në proces, por që Kosova është ende në fazën fillestare.

“Në këtë Raport për Kosovën jemi koncentruar shumë në vendimet ad-hoc të qeverisë që nuk janë në pajtim me legjislacionin në fuqi”.

Kosova, sipas tij, ka dështuar që ta rregullojë çështjen e ndarjes së mjeteve për veteranët e luftës si dhe në pjesën e punësimit të personave që nuk meritojnë të ushtrojnë ato pozita.