Zbulohet si i vodhi Mossadi izraelit gjysmë toni dokumente të Iranit

Agjentët e Mossadit një vit kanë mbikëqyrur depon e Iranit e pastaj e kanë thyer dhe kanë ikur para se të vinin rojat iraniane, transmeton Koha.net.

Agjentë të shërbimit sekret izraelit Mossad, të cilët më 31 janar të këtij vitit hynë në depon e pjesës tregtare të Teheranit e kanë ditur me saktësi sa kohë kanë për të paaftësuar alarmet, t’i thyejnë dy dyer dhe dhjetëra kasaforta gjigantë dhe të marrin nga to gjysmë toni material sekret.

Gjithë këtë punë ata e kanë mbaruar për gjashtë orë e 29 minuta.

Agjencia informative e Izraelit urdhëroi agjentët e vet që në aksion të nisen para orës 5.00, në mënyrë që të kishin mjaft kohë të iknin para se të vinin rojat iraniane në mëngjes të cilat menjëherë do të kuptonin se dikush ua ka vjedhur një pjesë të madhe të arkivit bërthamor të Iranit, në të cilën gjenden të dokumentuar vitet e punës për armë bërthamore, shkruan “The New York Times”, përcjell al jazeera.

Agjentë që arritën natën aty, kishin marrë me vete saldues për të thyer 32 kasaforta iraniane, thotë gazeta amerikane, transmeton Koha.net.

“The New York Times” sugjeron se ata mund të kenë pasur ndihma nga brenda pasi me saktësi e kishin ditur cilat kasaforta duhej thyer me forcën e temperaturës deri në 2.000 shkallë Celsius, pasi, siç thuhet, shumë kasaforta të tjera kanë mbetur të paprekura.

Në fund të natës agjentët ikën me gjysmë toni materialesh sekrete, përfshirë 50 mijë faqe dhe 163 kompakt disqe.

Iranianët filluan t’i largojnë dokumentet pasi nënshkruan marrëveshjen bërthamore me fuqitë e mëdha në vitin 2015.

Në bazë të marrëveshjes, Agjencia ndërkombëtare për energji bërthamore (IAEA) ka pasur qasje në vendet që dyshohen për aktivitete bërthamore.

Izraeli pohon se pas nënshkrimit të marrëveshjes, regjimi iranian ka mbledhur dokumente për programin bërthamor nëpër gjithë vendin dhe i ka fshehur në atë depo.

Depoja nuk ruhej 24 orë për të mos zgjuar dyshime.

Raporti i “The New York Timesit” bazohet në brifingjet e mëhershme të Izraelit për mediet perëndimore dhe përfshin detaje nga dokumentet e vjedhura të cilat kryeministri izraelit

Benjamin Netanyahu i prezantoi në prill.