Zbulohet një gjen, mungesa e të cilit mund të shkaktojë autizëm

Shkencëtarët kinezë kanë zbuluar një gjen i cili rregullon funksionet e trurit, mungesa e të cilit mund të shkaktojë autizëm, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas agjencisë së lajmeve Xinhua, shkencëtarët nga Akademia e Shkencave të Kinës, në eksperimentet e kryera tek minjtë kanë zbuluar se gjeni PAK2 dhe mungesa e enzimës treoninë kinaz PAK 2, e koduar nga ky gjen, mund të shkaktojë shfaqjen e autizmit.

Në eksperimentet në fjalë te minjtë është hequr gjeni PAK2. Në vëzhgimet e mëtejme është parë se mungesa e gjenit në fjalë ka shkaktuar anormalizimin e funksioneve nervore dhe shfaqjen e sjelljeve që kanë lidhje me autizmin.

Enzima treonin PAK2 e koduar nga gjeni PAK2 luan një rol kyç në ri-rregullimin e skeletit qelizor si dhe në rritjen dhe vdekjen e qelizës.

Në hulumtimet e mëparshme ishin zbuluar më shumë se 800 gjene që kanë lidhje me autizmin. Ende mbeten të paqarta ndikimet e gjeneve në fjalë në zhvillimin e autizmit.

Autizmi, i cili është një çrregullim kryesisht i trashëguar, tek njerëzit shkakton çrregullime mendore. Ndërveprimi social dhe vështirësitë në komunikim janë dy nga simptomat kryesore të kësaj sëmundjeje.

Hulumtimi është publikuar në një revistë ndërkombëtare të quajtur Cell Reports.

SHPËRNDAJE