Zbulohen kundërshtarët e Feronikelit në Ligën e Kampionëve

Feronikeli u kurorëzua me titullin kampion të Kosovës dje, çka nënkupton se do të marrë pjesë në fazën parakualifikuese të Ligës së Kampionëve për herë të parë në histori.

Skuadra nga Drenasi e fitoi për herë të tretë Superligën e Kosovës, por dy herët e kaluara Kosova nuk ishte anëtare e UEFA-s.

Ashtu siç ishte njoftuar nga UEFA më parë, faza parakualifikuese e Ligës së Kampionëve do të luhet në stadiumin ‘’Fadil Vokrri’’ në Prishtinë, që do të jetë një ndihmesë e madhe për ekipin e Zekirja Ramadanit, shkruan lajmi.net.

Momentalisht, kampioni i ri i Kosovës është njoftuar me dy kundërshtarët e mundshëm dhe është në pritet të atij të tetit, pasi në këtë fazë marrin pjesë 4 ekipe, nga kampionatet që kanë koeficientët më të ulët.

Santa Colomna si kampion i Andorrës dhe Lincoln Red, si kampion i Gjibraltarit, bashkë me Feronikelin do të jenë pjesë e kësaj faze.

Tashmë pritet emri i ekipit të katërt, i cili vjen nga San Marino, ku për këtë vend po garojnë La Fiorita e Tre Penne, që po luajnë në fazën e “Play-Offit”.

Në raundin parakualifikues skuadrat ndahen në dy vazo, teksa më pas luhet gjysmëfinalja dhe finalja.

Fituesi i këtij raundi luan në rrethin e parë eliminator të Ligës së Kampionëve, ndërsa humbësit do të përfundojnë në raundin e dytë kualifikues të Europa Ligës.

Ndeshjet do zhvillohet në Prishtinë nga 20 deri më 27 qershor. 

SHPËRNDAJE