Zbulohen fjalët e fundit të gazetarit Jamal Khashoggi

Zbulohet se fjalët e fundit të gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, kanë qenë “nuk mund të marr frymë”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmit në televizionin amerikan CNN bëhet e ditur se fjalët e fundit të gazetarit Jamal Khashoggi, përpara se ai të vritej, kanë qenë “nuk mund të marr frymë”.

CNN e bazoi lajmin e tij në një burim informacioni mbi hetimet rreth vrasjes së Khashoggit dhe përkthimin e një regjistrimi të zërit të momenteve të fundit të gazetarit Khashoggi.

Burimi i lajmit thekson se vdekja e Khashoggit nuk është një vrasje e kryer nga fillestarë, por e planifikuar paraprakisht, ku dhe Khashoggi ka bërë përpjekje kundër vrasësve.

Në lajm jepen edhe informacionet që sipas regjistrimeve të zërit, trupi i Khashoggit është ndarë në pjesë me sharrë dhe se autorët kanë rekomanduar dëgjimin e muzikës gjatë copëtimit të trupit të gazetarit.

Po ashtu në lajm theksohet se nga regjistrimet e zërit konstatohet se pas krimit janë kryer disa biseda telefonike ku i janë dhënë informacione palës përballë.

Princi saudit, Mohammad bin Salman, ka qenë objekt i kritikave pas vrasjes së gazetarit, Jamal Khashoggi, më 2 tetor në Konsullatën e Përgjithshme të Arabisë Saudite. Është njoftuar se edhe Agjencia Qendrore Amerikan e Inteligjencës (CIA) ka arritur në rezultatin se Mohammad bin Salman ka dhënë urdhrin për vrasjen e Khashoggit.