Zarif: Kërcënimi i Trumpit për sulm, krim lufte

Ministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Javad Zarif, ka përshkruar si “krime lufte” kërcënimet e presidentit amerikan Donald Trump për të sulmuar dhjetëra lokacione iraniane, në kohën kur po përshkallëzohen tensionet pas vrasjes së komandantit të Forcave Kuds të Gardës Revolucionare të Iranit, Qasem Soleimani, transmeton Anadolu Agency (AA)

“Goditja e lokacioneve kulturore është krim lufte”, shkroi Zarif në Twitter, shkurt kohë pasi Trump u kërcënua se do të sulmojë 52 lokacione iraniane në rast se sulmohen shtetasit apo pronat amerikane.

“Pavarësisht shkelmimit ose ulërimave, fundi i pranisë së dëmshme amerikane në Azinë Perëndimore ka filluar”, tha Zarif.

Në një sulm ajror jashtë aeroportit të Bagdadit u vranë Soleimani dhe nënkryetari i grupit Hashd al-Shaabi të mbështetur nga Irani, Abu Mahdi al-Muhandis.

Vrasja e Soleimanit shënon një përshkallëzim dramatik në tensionet mes SHBA-ve dhe Iranit, të cilat shpesh kanë qenë të përkeqësuara që kur presidenti Donald Trump në vitin 2018 zgjodhi që të tërhiqte SHBA-të në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja bërthamor që fuqitë botërore e nënshkruan me Teheranin.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, i cili i dha Soleimanit çmimin më të lartë shtetëror vitin e kaluar, u zotua për “një hakmarrje të hidhur” si reagim ndaj vrasjes.

Pentagoni akuzoi Soleimanin për planifikimin e një sulmi ndaj kompleksit të Ambasadës së SHBA-ve në Bagdad dhe se planifikonte të kryente sulme shtesë mbi diplomatët dhe anëtarët e shërbimit amerikan në Irak dhe rajon.