Zaev vjen në Kosovë, a do të diskutohet për “Grupin e Kumanovës”?

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, pritet të vizitojë Kosovën në javën e dytë të dhjetorit. Ardhjen e tij e ka konfirmuar Kryeministri Ramush Haradinaj. Ky i fundit nuk e ka përjashtuar mundësinë që të diskutojë me Shefin e Qeverisë maqedonase për dënimin e “Grupit të Kumanovës”.

Shefi i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka konfirmuar se homologu i tij maqedonas, Zoran Zaev, do të vijë në Prishtinë më 11 dhjetor. Ka thënë se vizita e Zaevit është koordinuar të ndodh në fillim të muajit dhjetor.

Këtë deklaratë kryeministri kosovar e ka dhënë pas një takimi që ka pasur me familjarët e “Grupit të Kumanovës”, të cilët janë dënuar nga Maqedonia për veprime terroriste në Kodrën e Trimave.

“Është paraparë të vijë më 11 dhjetor”, ka thënë Haradinaj, kur është pyetur për ardhjen e Zaevit në Prishtinë.

“Ta shohim”, është përgjigjur Kryeministri, kur është pyetur nëse do të flasë me Zaevin për dënimin e shqiptarëve të Kosovës si pjesëmarrës në një konflikt të armatosur në Maqedoni.