Xhamia Shqiptare në Melburn shënon 50-vjetorin e themelimit

Xhamia Shqiptare në qytetin e Melburnit në Australi, e para në këtë metropol australian, e ndërtuar nga një ndërtesë e zbrazur në lagjen Carlton nga muslimanët me origjinë shqiptare, shënoi 50-vjetorin e themelimit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në festimet e organizuara nga Shoqëria Islame Shqiptare e Australisë (AAIS) morën pjesë përfaqësues të partive politike, krerë të organizatave joqeveritare, zyrtarë të policisë, qytetarë muslimanë dhe australianë të besimeve të ndryshme.

“Elhamdulilah, siç e shihni, rreth 3.000 njerëz po marrin pjesë në këtë ditë të posaçme për xhaminë e parë në Melburn. Brenda xhamisë kemi një ekspozitë me historinë 50-vjeçare, të cilën të gjithë kanë hyrë për ta parë. Kemi një ekspozitë të mrekullueshme brenda. Po ashtu gjendet një hapësirë me kafshë për fëmijët dhe një garë me bakllava. Pra, kjo është një ditë e bukur familjare për ta kujtuar xhaminë e parë të Melburnit”, tha Balla.

Ai theksoi se në festime kanë ardhur njerëz nga të gjitha besimet dhe përkatësitë.

“Ky është eveniment publik. Të gjitha komunitetet në Melburn janë të mirëseardhura në këtë eveniment. I përfshijmë të gjithë. Jemi të hapur për të gjitha komunitetet, të na bashkohen për ta festuar këtë ditë të posaçme”, shtoi Balla.

“Duhet ta mirëpresim njëri-tjetrin”

Najad Fayed, muslimane me origjinë nga Eritrea e cila mori pjesë në shënimin e kësaj dite, tha se është një mundësi e mirë që komunitete multikulturore jetojnë së bashku në Australi dhe shtoi se është e lumtur që një gjë të tillë e sheh pranë xhamisë.

“Unë vazhdimisht falem në këtë xhami. Është kënaqësi që e kemi. Në veçanti, sot ndihemi mirë sepse kemi njerëz nga komunitete të ndryshme, nga besime të ndryshme dhe kjo është ajo që duam ta shohim në Australi. Gjëja më e mirë është t’i shohim pikat tona të përbashkëta dhe ndihem e lumtur që e shoh këtë. Shpresoj të jemi gjithmonë kështu, ta mirëpresim njëri-tjetrin”, tha Fayed.

Po ashtu, Nurcihan Öztürk me origjinë nga Turqia, tha se edhe babai i saj ka dhënë kontribute në ndërtimin e kësaj xhamie.

Ajo shtoi se në të kaluarën, babai i saj gjatë festave të Bajramit ftonte shumë shqiptarë të pamartuar në mënyrë që të mos e kalonin festën të vetëm.

Festimet e 50-vjetorit të Xhamisë Shqiptare u shënuan me valle popullore, aktivitete për fëmijë, gara me kafshë, ndërsa po ashtu u shpërndanë ushqime për pjesëmarrësit.

SHPËRNDAJE