Xhaka dhe Rashica ndahen baras

Skuadra e Granit Xhakës dhe ajo e Milot Rashicës kanë luajtur barazim 4:4 në miqësoren humanitare të organizuar në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.

Tifozët e mbledhur në këtë ndeshje, e që ishin në numër të madh, patën mundësi të shohin një spektakël të vërtetë, ku protagonist ishin futbollistë aktiv, të pensionuar, këngëtarë dhe figura tjera të njohura.

Milot Rashica arriti të shënonte për skuadrën e tij, duke u ndihmuar edhe nga Ermir Lenjani  që shënoi dy gola dhe Shefki Kuqi, me këtë të fundit që ndezi atmosferën duke festuar në mënyrën e tij të veçantë, siç e kemi parë shpesh në Premierligë.

Në anën tjetër, Xhaka po ashtu shënoi për skuadrën e tij, për të festuar pastaj me shqiponjë, duke dhuruar një moment të paharruar për tifozët në ‘Fadil Vokrri’.

Për skuadrën e Xhakës shënuan edhe Muharrem Sahiti, Dardan Berisha dhe Armend Thaçi.

Sigurisht që moment për t’u vlerësuar ishte edhe largimi i Rashicës dhe Xhakës nga ndeshja, që u përcoll me ovacione nga tifozët, që nuk kursyen duartrokitjet për futbollistët, në shenjë falënderimi për këtë spektakël të dhuruar./Lajmi.net/

SHPËRNDAJE