William Walker nderohet me titullin “Krenaria e Kombit Shqiptar”

Dega e Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, në bashkëpunim me Komunën e Deçanit, kanë nderuar ish-ambasadorin William Walker me titullin “Krenaria e Kombit Shqiptar”.

Selim Lokaj, kryetar nderi i lidhjes së historianëve dega në Deçan, tha se janë të nderuar që i ndajnë këtë titull njeriut që i ndihmoi shumë Kosovës.

“Sot jemi të nderuar që kemi në mesin tonë njeriun që 21 vite më parë nga Reçaku duke parë gjenocidin ai me deklaratën e tij e ndaj në dysh historinë e Kosovës, ngjarje kjo e cila do të ishte vendimtare për presidentin Clinton i cili do të urdhëronte bombardimin e makinerisë së Sllobodan Milloshevic i cili ishte përgjegjës për 3 luftërat e fundit në Ballkan”, tha ai.

Kryetari i Gjilanit Bashkim Ramosaj tha se Walker është shndërruar ne figurë të paqes dhe promovues i lirisë në botë.

“Në jetën tonë edhe si popull ju kemi nënshtruar nevojës me dal jashtë shtetit për shkak të kushteve, prindërit në këtë periudhë e kanë pasur një këshillë, ajo ka qenë ngado që shkojmë me ndërtua nga një shpi dhe një lloj amaneti që mos me vdekë pa e bërë një vepër të mirë. Ne sot ambasadorin përpos që e kemi mik njëkohësisht është shndërruar në një njeri model për atë që ka bërë që e promovon paqen e lirinë”, u shpreh Ramosaj.

E njeriu që 21 vjet më parë me tri fjalë e tregoi të vërtetën që po ndodhte në Kosovë, ambasadori William Walker, tha se për këto 21 vjet është mishëruar me popullin e Kosovës.Ai tha se nuk e ka të lehtë të harrojë ngjarjet që ndodhen 21 vjet më parë.

“Nuk është hera e parë që kam ardhur në Deçan dhe jam i nderuar gjë jem këtu nga zyrtarë të ndryshëm. Kur flasin për Kosovën nuk është lehtë për mua të harroj dhe nuk jam shumë i përfshirë në atë që ndodhë këtu. Jam i turpëruar që pas 21 viteve që vi këtu dhe nuk i njoh shumë gjuhën shqipe di vetëm, mirëdita dhe faleminderit. Në 21 vitet e fundit kanë mësuar të flasin anglisht dhe dje në Reçak mijëra, mijëra njerëz, dhe fëmijë të vegjël kur më pyesnin për një foto me mua të gjithë flisnin anglisht. Dëshiroj të ju falënderoj në emër të Clintonit për respektin që keni për të”, tha ai.

Ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker, masakrën e Reçakut e quajti krim kundër njerëzimit, duke sensibilizuar kështu faktorin ndërkombëtar e që pasoi me ndërhyrjen e NATO-s.