Wikileaks zbulon detaje të përgjimit të CIAs

Organizata ndërkombëtare jofitimprurëse me seli në Suedi, WikiLeaks, publikoi detaje të atyre që pretendon se janë mjete sulmi kibernetik të përdorura nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës së SHBA-së (CIA).

WikiLeaks hedh pretendimin se CIA përdor Konsullatën e Përgjithshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Frankfurt si bazë për të kryer operacionet e piraterisë informatike në Evropë, Kinë, Lindje të Mesme dhe Afrikë.

Gjithsej 8.761 dokumentet e publikuara së fundmi nga WikiLeaks, tërësia e të cilave është quajtur “Kasaforta 7” (Vault 7), formojnë publikimin më voluminoz të bërë ndonjëherë nga arkivi konfidencial i CIA-s.

Në dokumentet e bëra publike të martën, WikiLeaks pretendon se ka demaskuar mjetet dhe metodat, që Agjencia Qendrore e Inteligjencës përdor në operacionet e saj kibernetike anembanë globit.

Krahas 8.761 dokumenteve të sipërcituara, në pjesën e parë të publikuar të arkivit me kodin “Viti Zero” (Year Zero) zënë vend edhe shumë dosje, që thuhet se janë marrë nga njësia e inteligjencës kibernetike me siguri të lartë, e cila ndodhet pranë qendrës së CIA-s në Virgjinia.

Sipas këtyre dokumenteve, CIA hyn në sistemet e produkteve të kompanive Apple, Google dhe Microsoft, madje transformon në mikrofona të fshehtë edhe televizorët Samsung.

Gjithnjë sipas WikiLeaks, tentativa për të kompromentuar serinë F8000 të televizorëve inteligjentë të Samsung-ut ishte koduar “Engjëlli i Përlotur” (Weeping Angel). Dokumentet sqarojnë se viruset e infiltruara në televizorë mund të regjistronin zërat dhe më pas t’ia dërgonin CIA-s, madje ato flasin edhe për një projekt, i cili parashikonte xhirimin e videove apo bërjen e fotografive nga televizori.

E aftë të komprometojë sistemet operative të telefonave celularë dhe kompjuterëve, Agjencia Qendrore e Inteligjencës siguron pa e kuptuar aspak një numër të jashtëzakonshëm informacionesh dhe të dhënash në lidhje me përdoruesit, nga vendndodhja e deri te bisedat e tyre më private.

WikiLeaks pretendon gjithashtu se CIA po përpiqet që prej vitit 2014 e këtej për të gjetur rrugën që të ndërhyjë në distancë te sistemet kompjuterike të automjeteve dhe të marrë kontrollin e tyre, në mënyrë që të ketë mundësi për kryer vrasje pa lënë gjurmë dhe rrjedhimisht të pazbulueshme.

Duke theksuar se CIA shfrytëzon një ushtri prej të paktën 5.000 piratësh kibernetikë për operacionet globale të saj në këtë fushë, organizata ndërkombëtare jofitimprurëse me seli në Suedi sqaron se programet kompjuterike, që ajo ka arritur të ndërtojë përmes kësaj ushtrie, kanë një vëllim kaq të madh saqë lënë pas edhe aplikacione si Facebook.

Zëdhënësi i CIA-s, Jonathan Liu, deklaroi se nuk do të komentojnë në lidhje me vërtetësinë dhe përmbajtjen e dokumenteve në fjalë.

Ndërsa Jake Williams, themelues i kompanisë Rendition Infosec, e cila ofron shërbime sigurie për institucione të ndryshme, tha se i ka analizuar dokumentet në fjalë dhe se ka shumë gjasa që ato të jenë të vërteta.

Lëvizja e fundit e WikiLeaks, që publikon tashmë prej një kohe të gjatë sekrete shtetërore të niveleve të larta, mund të hedhë dritë mbi metodat e spiunazhit kibernetik të CIA-s.