Vuçiq: Listën Serbe e përçau faktori i huaj dhe shqiptarët

Lista Serbe po zhvillon një takim në Beograd me kryeministrin serb. Aleksander Vuçiq është i bindur se Listën ia përçau faktori ndërkombëtar dhe shqiptarët, por ai ka thënë se “kjo histori do të marrë fund sot”.

Ka filluar një takim i përbashkët i Kryeministrit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, dhe përfaqësuesve politikë serbë në Kosovë nga Lista Serbe, për të gjetur një gjuhë të përbashkët dhe për t’i ndaluar grindjet e përçarjet mes vete, njofton Klan Kosova.

Në takimi po marrin pjesë, drejtori i Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq, deputetët e Listës Serbe, zëvendëskryeministri Branimir Stojanoviq, ministri Dalibor Jevtiq, dhe ministri i shkarkuar Ljubomir Mariq.

Vuçiq ka thënë se do “t’i japë fund kësaj historie”, dhe se konflikti në Listën Serbe ka ardhur nga “faktorët të huaj dhe natyrisht faktorit shqiptar”.

“Disa njerëz i kanë dhënë vetes të drejtën për të bërë diçka që është kundër interesave të Republikës së Serbisë”, pohoi ai, duke thënë se “kjo histori do të marrë fund sot”.