Vuçiç: Vrasja e Oliver Ivanoviçit paraqet akt terrorist

 Vrasja e Oliver Ivanoviçit për shtetin e Serbisë paraqet një akt terrorist, dhe të njëjtën ashtu do ta trajtojmë, deklaroi sot presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Në mbledhje është dakorduar dhe dërguar një letër organeve të EULEX-it dhe UNMIK-ut, që organet shtetërore të Republikës së Serbisë të marrin pjesë në hetime, sepse një gjë e tillë do të zbardhte të vërtetën mbi vrasjen”, tha Vuçiç në adresimin e tij për gazetarët.

Sipas fjalëve të tij, Prokuroria e Serbisë për Krim të Organizuar sot do të nisë një procedurë parahetimore.

“Shteti i Serbisë do të ndërmerr masat e nevojshme dhe do të zbulojmë vrasësin. Nga Federica Mogherini dhe nga gjithë përfaqësuesit tjerë të bashkësisë ndërkombëtare kërkova që të kryejnë punën e tyre në mënyrë profesionale dhe me përgjegjësi”, shtoi më tej Vuçiç.

I pyetur nëse vallë shërbimet serbe të sigurisë kanë patur informacione për kërcënime eventuale mbi Ivanoviçin, Vuçiç ishte i prerë se “pavarësisht kush e ka kryer vrasjen, qoftë shqiptar, serb apo i huaj, ai ka kryer një sulm mbi serbët në Veri të Kosovës por edhe ndaj Serbisë si një tërësi”.

Ai tha se vrasësit kanë lënë gjurmë dhe kjo është arsyeja e kërkesës së Serbisë për kyçje aktive në zbardhjen e kryerësve.

Presidenti i Serbisë, Vuçiç, tha se populli në Kosovë është i shqetësuar për çka paralajmëroi një udhëtim atje ndërkohë që serbëve të Kosovës u bëri thirrje për paqe dhe përmbajtje.

Udhëheqësi i Iniciativës Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi” Oliver Ivanoviç u vra sot nga të shtëna me armë zjarri këtë mëngjes në veri të Mitrovicës.