Vrasja e rëndë e Ilir Zeqirit në Skenderaj, arrestohen dy persona

Skuadra për Hetimin e Krimeve të Rënda në kuadër të Drejtorisë Rajonale në Mitrovicë, pas një hetimi intensiv me datën 11 prill 2019, kanë identifikuar dhe kanë arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale ‘vrasje e rëndë’ të ndodhur me datën 8 prill 2019, në Skenderaj.

Sipas policisë, dy personat dyshohen se kanë vrarë dhe pastaj e kanë djegur në veturë e tij Ilir Zeqirin të hënën në Prekaz të Skenderajt ,transmeton Indeksonline.

Përveç arrestimit hetuesit policorë në zonën e Skenderajt, kanë realizuar edhe dy bastisje në dy lokacione të ndryshme në shtëpitë e të dyshuarve, me ç’rast në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe konfiskuar: dy pushkë automatikë AK 47, 14 copë fishekë, është sekuestruar një veturë, e cila dyshohet se është shfrytëzuar nga të dyshuarit në kryerjen e ‘veprës penale’.

Të dyshuarit e arrestuar janë: H. F., 32 vjeçar dhe K. I., 19 vjeçar, të dy shtetas të Republikës së Kosovës. Me urdhër të prokurorit të rastit dy të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.

Kujtojmë se me 8 prill 2019, Policia ka pranuar informacion se në fshatin Prekaz i Epërm të Skenderajt, një veturë ishte kapluar nga zjarri. Drejt vendit të ngjarjes me urgjencë kanë reaguar njësitë policore dhe njësia e zjarrfikësve, ku pas fikjes së zjarrit brenda në veturën e djegur është gjetur një trup i pajetë.

Nga hetimet e para dyshohet se trupi i pajetë është i viktimës I. Z. rreth 48 vjeçar, ndërsa vetura e djegur me targa vendore ishte në pronësi të viktimës.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe hetimet fillestare të bëra nga hetuesit e Krimeve të Rënda në vendin e ngjarjes janë gjetur pesë gëzhoja të armës.

Marrë parasysh të gjeturat fillestare në vendin e ngjarjes dhe elementet tjera rrethanore, sipas prokurorit të rastit hetimet janë duke u zhvilluar mbi dyshime për vepër penale ‘ vrasje e rëndë’.

Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës ishte dërguar për obduksion.