Vozitë nën ndikim të alkoolit, aksidentohet për vdekje

Alkooli duket se është bërë shkak i një aksidenti të rëndë në orët e para të ditës së sotme në Fier, ku një person ka humbur jetën, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Policia njofton se aksidenti ka ndodhur rreth orës 02:30, në rrugën Fier-Roskovec, në vendin e quajtur “Kthesa e Verbasit”, ku shtetasi E.Ç, 26 vjeç, banues në Patos, duke drejtuar mjetin tip “Benz” në gjendje të dehur, ka dalë nga rruga dhe ka rënë në kanal.

Si pasojë ka gjetur vdekjen pasagjeri, shtetasi A.Sh, 52 vjeç, banues në Patos.

Gjithashtu kanë marrë dëmtime dhe ndodhen në Spitalin Rajonal Fier nën kujdesin e mjekëve drejtuesi i mjetit dhe pasagjeri tjetër, shtetasi M.Sh, 25 vjeç, banues në Patos.

Sipas policisë, nga testi i alkoolit, drejtuesi i mjetit rezultoi në gjendje të dehur në masën 1.08 mg/l.