Vonohet ndërtimi i Xhamisë Qendrore në Prishtinë, kompanisë i skadon leja

Ndonëse ishte paraparë që punimet për ndërtimin e Xhamisë Qendrore në Prishtinë, të fillonin në vitin 2018, një gjë e tillë edhe nuk është bërë. Në Komunën e Prishtinës thonë se kompanisë kontraktuese i ka skaduar leja e ndërtimit, ndërsa Bashkësia Islame nuk ka dhënë një qëndrim në lidhje me këtë çështje.

Projekti për ndërtimin e Xhamisë së Madhe në Prishtinë, ka një vit që është bërë.

Gurthemeli i xhamisë është vënë në vitin 2012. Nga ajo kohë dhe deri më tani, pos gërryerjes së vendit dhe vendosjes së zhavorrit, nuk është kryer asnjë punë tjetër.

Komuna e Prishtinës ka thënë se kompania e kontraktuar posedon kushtet për ndërtimin e xhamisë, por jo edhe lejen.

Kjo pasi që leja për ndërtim e dhënë në vitin 2018, ka skaduar.

Në anën tjetër, RTV Dukagjini për disa ditë ka provuar të marr një qëndrim nga Bashkësia Islame e Kosovës, se kur priten të fillojnë punimet, por nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndërtimi i xhamisë fillimisht ishte paraparë që të përfshijë një hapësirë prej rreth 50 mijë metrave katrorë. Mirëpo, për shkak të vendit të papërshtatshëm, projektit i janë larguar dy nivele të parkingut nëntokësor, gjë që pritet të ketë rreth 40 mijë metra katrorë.

Projekti parashihet të kushtojë deri në 40 milionë euro dhe është i financuar nga Bashkësia Islame Turke.

Ndërtimi i xhamisë ishte paraparë të zgjasë rreth tri vite nga koha e fillimit të realizimit të projektit.