Vonohen insulinat më të kërkuara – Ministria e Shëndetësisë sqarohet për shpërndarjen

Pacientët që vuajnë nga diabeti në Kosovë, ka disa muaj që po përballen me mungesë të ilaçit të tyre kryesor që e stabilizon këtë sëmundje.

Është insulina ajo për të cilën endokrinologët po propozojnë lloje të ndryshme të saj për pacientët.

“Indeksonline” ka mësuar përmes disa pacientëve se prej fillimit të vitit 2018 ka mungesë të disa insulinave.

Lidhur me këtë çështje, në një përgjigje për “Indeksonline”, Ministria e Shëndetësisë ka treguar se kur do të stabilizohet furnizimi i tyre në Qendrat e Mjekësisë Familjare.

Zëdhënësi i këtij dikasteri, Faik Hoti ka thënë se janë dy lloje të insulinës, analoge dhe humane.

Vlen të theksojmë se analoge – janë insulinat më të ‘shtrenjta’ që po insistojnë endokrinologët të marrin pacientët. Ndërsa ajo humane është e njëjta që është përdorur edhe vitin e kaluar.

“4000 njësi të Insulines analoge janë shpërndarë në mënyrë proporcionale në QKMF-të e Kosovës gjatë kësaj jave. Insulina humane ka sasi të mjaftueshme në stok, ndërsa sasi të tjera nga Insulina analoge, pritet të shpërndahen javën tjetër”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhënë për “Indeksonline”.

Kështu, për të sqaruar opinionin më sakt duhet të tregojmë se emrat e insulinave si (Novomix, Novorapid etj) janë emra komerciale që bëjnë pjesë në insulinat analoge.

Pra, një sasi e konsiderueshme e insulinave të shtrenjta janë shpërndarë dhe të tjerat priten në ditët në vazhdim. Kurse insulina humane për momentin ka mjaftueshëm nëpër QKMF-të.