Vjosa Osmani e merr si të kryer koalicionin LDK-VV: Kemi sfida para vetes

Vjosa Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e ka marrë si të kryer koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat u mbajtën më 6 tetor, Lidhja Demokratike e Kosovës u radhit e dyta duk marrë 24.83 për qind të votave.

Fituesja e këtyre zgjedhjeve është Lëvizja Vetëvendosje e cila mori 25.50 për qind të votave dhe në këtë mënyrë qeveria e ardhshme pritet të formohet mes këtyre dy partive, shkruan lajmi.net.

Se një koalicion i mundshëm në mes të këtyre partive do të ndodhë sapo e ka konfirmuar Vjosa Osmani, e cila ishte bartëse e listës së LDK-së në zgjedhjet e 6 tetorit.

Madje Osmani përmes një postimi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook, formimin e koalicionit e ka marrë si punë të kryer.

Postimi i plotë i Osmanit pa ndërhyrje:

Të dashur qytetarë të vendit tim,

Këtë vjeshtë janë mbushur plot 20 vjet që jam bërë anëtare e LDK-së dhe gati po aq që kam shërbyer në institucionet e Kosovës.

Ka qenë rrugë jo e lehtë, plot pengesa e sfida, sikur për shumë të rinj e të reja në vendin tonë. Deri tani, ishte një rrugëtim i jashtëzakonshëm, përgjatë të cilit kam takuar mijëra gra e burra, vajza e djem, qytetarë të mirë të këtij vendi që më kanë mbushur plot shpresë për të ardhmen.

I falënderoj miliona herë, nga thellësia e zemrës, të gjithë që na përkrahën e besuan në ne, si dhe të gjithë aktivistët e veprimtarët që kurrë nuk reshtën së punuari me vetëmohim.

Arritëm që të gjithë së bashku, por për një kohë tejet të shkurtë prej vetëm një muaji, ta ringrisim LDK-në në një rezultat që nuk e kishte nga viti 2004. Por, na mbetet edhe shumë punë për të bërë, edhe shumë sfida për të kaluar, e ato mund t’i kalojmë vetëm së bashku.

Më në fund, qytetarët, jo vetëm që votuan, por, ajo votë ishte thirrje për ndryshim e ndëshkim ndaj qeverisjes së keqe.

Qytetarët, poashtu, përcaktuan qeverinë e re, e cila duhet të përbëhet nga opozita e deridjeshme. Për mua nuk ka asnjë alternativë tjetër.

Koalicioni LDK-VV ka shumë sfida para vetes, por duhet ta ketë vetëm një interes: atë të qytetarëve të Kosovës.

Unë do të punoj për vendin tim pavarësisht se ku jam.

Ashtu siç e kam thënë gjithnjë: në secilën betejë, do të jemi së bashku, deri në fund!

E juaja,

Vjosa.

SHPËRNDAJE