Vjen një lajm i mirë për policët kosovarë

Sindikata e Policisë së Kosovës me datën 5 shkurt ua kishte dërguar shkresën Nr.01-04/2018 Qeverisë, në të cilën për punonjësit e Policisë kanë kërkuar gjetjen e mundësive për zgjidhjen e çështjes së pagave.

Në këtë shkresë është kërkuar aprovimi i Projektligjit për nivelizimin e pagave, sigurimin alternativ shëndetësor dhe jetësor.

Donjeta Gashi nga zyra e kryeministrit ka thënë për “Arbresh” se kjo kërkesë është duke u trajtuar në Ministrinë e Administratës Publike.

“Kërkesa të shumta drejtuar sektorit të punëve dhe mirëqenies sociale janë duke u trajtuar në ministritë përkatëse. Në Ministrinë e Administratës Publike është duke u përgatitur Ligji për Pagat e Shërbyesve Civil në Republikën e Kosovës, ku ndër të tjera është duke u zgjidhur edhe çështja e nivelizimit të pagave të oficerëve policor, gjegjësisht duke u harmonizuar me pagat e oficerëve të FSK-së”, ka thënë ajo.

Zeqir Bekolli zyrtar për komunikim me publikun në Ministrinë e Administratës Publike ka thënë për Arbresh.info se MAP-i është duke punuar në Ligjin për Nivelizimin e Pagave.

“Në kuadër të këtij ligji bëjnë pjesë edhe zyrtarët policorë. Ky ligj, në Qeveri pritet të shkojë kah mesi i muajit qershor, në kuadër të Pakos ligjore, ku bëjnë pjesë edhe Ligji për Organizimin e Administratës Shtetërore, Ligji për Shërbimin Civil dhe Ligji për Pagat e Nëpunësve Civil”, ka theksuar ai.

Ndryshe ditë më parë kryetari i sindikatës Shaban Tasholli në një përgjigje që pati dhënë për portalin Arbresh.info ka thënë se nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga Qeveria e Kosovës lidhur me këtë temë.

“Nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga Qeveria. Ne do të bëjmë kërkesë për takim me të gjitha instancat pas 1 majit, e pastaj te shohim se çfarë thonë. Ne i kemi kërkesat si nivelizimi i pagave, sigurimi shëndetësor, dhe përvoja e punës ’90-99”, ishte shprehur ai.

Ndërsa më 28 Prill të këtij viti një veturë zyrtare e Policisë së bashku me dy zyrtar Policor kishte rënë në lumin Lepenc pas një aksidenti që kishte pasur. Zyrtarët policor ishin Malsor Dashi dhe Armend Trena nga komuna e Kaçanikut. Pas kërkimeve disa ditëshe trupat e të dy policëve u gjetën.

Kurse që nga themelimi i policisë deri më sot 17 zyrtarë policor kanë vdekur në detyrë.