Vjedhja në shtëpinë e kryeprokurorit, cenim i sigurisë nacionale

Vjedhja e telefonit të kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, në shtëpinë e tij, në mëngjesin e së martës, para syve të Policisë së Shtetit vlerësohet të jetë një cenim i drejtpërdrejtë i sigurisë në vend.

Ndërkaq, ky akt ndaj shtëpisë së kryeprokurorit Lumezi po konsiderohet si një sulm i drejtpërdrejtë ndaj institucionit që ai udhëheq dhe i sistemit të drejtësisë në përgjithësi, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Njohës të çështjeve të sigurisë në vend aktin e vjedhjes në shtëpinë e kryeprokurorit, Aleksandër Lumezi, e shohin si një akt që po krijon frikë dhe pasiguri edhe te qytetarët e vendit, duke bërë kështu që ky rast edhe pse gjendet në fazën fillestare të hetimeve të konsiderohet si një rast, i cili përbën një cenim të sigurisë nacionale.

Ndonëse akoma janë duke u zhvilluar hetimet preliminare, vjedhja në shtëpinë e kryeprokurorit, Aleksandër Lumezi, po shihet si sulm jo vetëm ndaj kryeprokurorit, por edhe ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve, të cilët lehtë mund të jenë subjekt të sulmeve apo kërcënimeve të ndryshme.

Selimi: Vjedhja, akt serioz

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Behar Selimi, i cili është edhe njohës i çështjeve të sigurisë, ka thënë se kjo vjedhje është një akt serioz i cili shkakton frikë dhe panik te qytetarët në vend, pasi që ky sulm ka ndodhur ndaj një zyrtari të lartë shtetëror, në këtë rast kryeprokurorit të Shtetit dhe nëse vërtetohet së është synuar të shqetësohet kryeprokurori, atëherë ky akt është sulm ndaj sigurisë së përgjithshme në vend.

“Ky është një akt serioz për faktin se shkakton frikë dhe panik te qytetarët duke qenë se kjo vjedhje ka ndodhur në shtëpinë e kryeprokurorit. Unë e vlerësoj këtë akt si akt të cenimit të sigurisë kombëtare për sa kohë që nuk i dimë rrethanat. Pra, nuk është mirë ta paragjykojmë këtë rast. Nëse është synuar që të shqetësohet kryeprokurori si institucion, atëherë kemi të bëjmë me cenim të sigurisë kombëtare. Nëse hetimet nxjerrin një përfundim që kemi të bëjmë me një vjedhje, atëherë nuk është cenuar siguria kombëtare, pavarësisht që ka ndodhur në shtëpinë e kryeprokurorit të Shtetit. Ky akt i kontribuon fikës së pasigurisë për çka se është cenuar integriteti familjar i kryeprokurorit të Shtetit, prona e tij dhe ai personalisht”, ka deklaruar Selimi për “Zërin“.

SHPËRNDAJE