Vizita e kryeministrit malazez do t’i shërbejë forcimit të raporteve Kosovë-Mal i Zi

Vizita e kryeministrit të Malit të Zi, Dushko Markoviq të mërkurën në Kosovë do të shërbejë në forcimin e marrëdhënieve në mes dy vendeve, ku si temë qendrore e diskutimit me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës pritet të jetë demarkacionit i kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Kështu kanë vlerësuar deputetët e Kuvendit të Kosvës, Ahmeti Isufi nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Ali Lajçi nga Lëvizja Vetëvendosje (VV).

Deputeti i AAK, Ahmet Isufi ka theksuar se vizita e kryeministrit të Malit të Zi në Prishtinë do të ngritë në një nivel edhe më të lartë komunikimin në mes dy shteteve.

Ai në një prononcim për Telegrafin ka thënë se tema e demarkacionit të kufirit në mes dy vendeve mund të jetë në tavolinën e bisedave në mes shefit të Qeverisë malazeze, Dushko Markoviq dhe përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës.

“Deri më tani ka pasur një stagnim në zgjidhjen e demarkacionit, për shkak të devijimit të vijës kufitare nga ata që kanë qenë të angazhuar në Komisionin për shenjëzimin e kufirit. Besoj se tani me një qasje konstruktive të palëve, presim të shohim se si do të reflektojë ky takim”, ka shtuar Isufi.

Deputeti i VV-së, Ali Lajçi ka thënë se vizita duhet të shërbejë në drejtim të forcimit të marrëdhënieve në mes të dy vendeve.

Sipas tij, pritet ta shohim se çka do të bisedohet në takimet e Markoviqit me krerët e shtetit të Kosovës, duke shtuar se këtu nuk përjashtohet që njëra prej temave të jetë demarkacioni.

“Nuk kemi ndonjë informacion ose dokument se për çka do të diskutohet, andaj nuk mund të themi më shumë”, ka shtuar Lajçi.

Ndryshe, kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, sot do ta vizitojë Kosovën, kurse Qeveria e Kosovës e ka publikuar agjendën e takimeve.

Ditën e parë Markoviq do të takohet me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj ndërsa ditën e dytë me kryetarin e Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli dhe presidentin Hashim Thaçi.