Viti i stagnimit

Viti 2017 nuk ishte i lehtë për qytetarët e Kosovës. Përkundrazi, ata ndonëse kryen disa herë radhazi obligimin e tyre qytetar dhe votuan për të disatën herë gjatë këtij viti, nuk është se përfituan diçka nga shteti. As mirëqenie sociale, por as të ardhme evropiane.

Liberalizimi, si premtimi më i spikatur edhe për këtë vit, sikurse përgjatë tërë dekadës së fundit, mbeti vetëm një zotim i politikanëve. Jo më shumë, shkruan Gazeta “Zëri”, në edicionin special për Vitin e Ri.

2017-a nisi me arrestimin e kryeministrit të tanishëm Ramush Haradinaj (i cili u ndalua në Francë) dhe përfundoi me koordinimin e këtij të fundit (dhe dy krerëve të tjerë institucionalë, Thaçit e Veselit) për ta zhbërë Gjykatën Speciale.

Gjatë vitit pati edhe zhvillime të tjera: u organizuan dy palë zgjedhje, ato nacionale dhe ato lokale. E pos liberalizimit, të pazgjidhura mbeten edhe shumë çështje të tjera të mëdha.

Nuk u arrit të përmbyllej as kushti kyç i vizave, ratifikimi i demarkacionit e as të bëhej ushtria, të cilën me anë të fjalimeve politikanët e kishin “bërë” qysh moti.

Qytetarët e Republikës së Kosovës gjatë tërë 2017-ës vazhduan të mbaheshin “peng” i shpresës se një ditë do të mundë të udhëtonin pa regjimin e vizave. Njëjtë do të nisin edhe në vitin që po vjen, 2018-ën. Duke mos e ditur se deri kur do të vazhdojnë të jetojnë në këtë agoni.

2017-a nisi me arrestimin e Haradinajt

Fillimi i muajit janar nisi me arrestimin e liderit të AAK-së atë kohë, tash kryeministër i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili u ndalua në Colmar të Francës (më 4 janar) pas një fletarrestimi të lëshuar nga Serbia në vitin 2004, shkruan tutje “Zëri”.

Ndonëse pala kosovare kërkonte lirimin e tij, Serbia insistonte që Haradinaj të ekstradohej në Serbi. Kështu që më 5 janar drejtësia franceze vendosi që Haradinaj të mbetej në paraburgim derisa Serbia të sillte dëshmi të reja për ekstradimin e tij në kryeqytetin serb, Beograd.

Partia të cilën ai përfaqësonte, AAK-ja, insistonte se vendimi për ta mbajtur Haradinajn ishte më shumë vendim politik sesa gjyqësor, ndonëse autoritetet franceze e pohonin të kundërtën. Pos palës kosovare, reaguan ashpër edhe krerët e institucioneve të Shqipërisë. Arrestimi i Haradinajt nxiti edhe protesta jo vetëm në Prishtinë, në Kosovë e në rajon, por edhe në botë.

Më 12 janar Gjykata Franceze shpalli lirimin me kusht për Haradinajn, por ish-gjenerali i UÇK-së mbeti në Francë edhe më tej derisa gjykata të dilte me një vendim tjetër. Gjatë muajit janar ndodhi edhe një provokim tjetër nga ana e Serbisë. Një tren rus ishte nisur (më 14 janar) nga Beogradi për në veri të Mitrovicës me mbishkrimet “Kosova është Serbi” pa lejen e autoriteteve kosovare. Mirëpo, pavarësisht kësaj, treni nuk ia doli të hynte në Kosovë.

Shkurti rrënon murin në veri

Fillimshkurti rrënoi edhe provokimin tjetër të serbëve në veri të Mitrovicës. Më 5 shkurt 2017 muri që simbolizonte ndarjen në veri u rrënua nga po ata që vetë e kishin ndërtuar atë mur.

Dy ekskavatorë nga Zveçani punuan rreth një orë për ta shembur murin që prodhoi tensione të ashpra mes Kosovës e Serbisë. Muri i Veriut ishte sponsoruar nga Beogradi, kurse formën e ndarjes së vendit e mori më 4 dhjetor (2016), kur edhe u pat bërë publik. Shkurti shënoi edhe ngjarje të tjera në vend.

Në pjesën e dytë të këtij muaji Komisioni për Shënjimin e Kufirit me Malin e zi (i drejtuar nga Hivzi Islami) konstatoi se Kosova nuk kishte humbur territor nga versioni aktual i Marrëveshjes së Demarkacionit, shkruan “Zëri”.

Sipas matjeve të këtij Komisioni, Kosova kishte sipërfaqe prej 10905.25 kilometrash katrorë. Megjithatë, prezantimi i gjetjeve të këtij Komisioni nuk zbuti tensionet pozitë – opozitë në lidhje me këtë çështje. Përderisa Qeveria e përshëndeti punën e këtij Komisioni, subjektet opozitare e vlerësuan të papranueshëm këtë komisionin dhe punën e tij.

Marsi nisi me “bërjen” e ushtrisë nga Thaçi

Muaji mars nisi me “vendosmërinë” e presidentit Hashim Thaçi për ta bërë ushtrinë e Kosovës. Më datën 7 të këtij muaji i pari i shtetit ia dorëzoi kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, projektligjin për transformimin e FSK-së në FAK.

Pos pozitës, ndonëse patën kritika, edhe deputetët e opozitës u shprehen të gatshëm ta përkrahnin Ligjin e ri për Forcën e Sigurisë së Kosovës, i cili i jepte asaj përgjegjësi për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Mirëpo, një ide të tillë të Thaçit nuk e mbështeti bashkësia ndërkombëtare.

Përkundrazi, ata kërkuan që ushtria të bëhej me ndryshime kushtetuese (ku nevojiteshin edhe 2/3 e vota të komuniteteve joshumicë). Megjithëkëtë, Thaçi vazhdonte insistimin, transmeton “Zeri.info”.

Ai qe zotuar se do ta bënte ushtrinë o do të dorëhiqej nga posti i presidentit. Por, asnjëra nga këto të dyja nuk ndodhi. Kosova vazhdon të jetë ende pa ushtri.

Prilli sjell lirinë për Haradinajn

Fundi i muajit prill solli lirinë e Ramush Haradinajt, i cili u ndalua në Francë më 4 janar në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga Serbia. Pas katër muajve kryeministri i tanishëm i Kosovës dhe njëherësh lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, u lirua nga të gjitha akuzat nga Gjykata Franceze e Colmarit. Menjëherë pas kësaj Ramush Haradinaj tha se fitoi drejtësia.

Vendimin e Gjykatës së Colmarit e mirëpritën të gjithë në Kosovë, edhe mbështetësit e edhe rivalët e tij politikë. Haradinaj ishte liruar me kusht më 12 janar pas kërkesës së palës serbe për ta ekstraduar në Serbi, por as atë ditë nuk u qe marrë vendimi.

I pari i AAK-së vazhdoi procedurat edhe gjatë seancës së 2 marsit, në të cilën po ashtu i qe shtyrë vendimi. Njëjtë ndodhi edhe më 6 prill, në të cilën gjykata vendosi që vendimin ta shtyjë deri më 27 prill, kur edhe u lirua përfundimisht.

Maji, muaji i rrëzimit të Mustafës

Muaji maj i 2017-ës startoi me dështimin e Qeverisë për ta proceduar Demarkacionin dhe me rënien përfundimtare të Qeverisë. Më 8 maj Qeveria nuk arriti ta mbante mbledhjen, ku në rend dite kishte Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi.

Në mbledhjen e ekzekutivit nuk patën marrë pjesë kryeministri Isa Mustafa e as vartësit e tij nga radhët e PDK-së. Situata nuk ishte fare e qetë. Kërkohej rrëzimi i Qeverisë së drejtuar nga Isa Mustafa, përcjell “Zeri.info”.

Opozita kishte ngritur mocion për rrëzimin e saj. E rrëzimi varej tërësisht nga Kadri Veseli: nëse do ta votonte do të rrëzohej, nëse jo Qeveria do të vazhdonte punën. Veseli zgjodhi të parën. Bashkë me deputetët e partisë së tij, PDK-së, votuan pro mocionit (të iniciuar nga Nisma për Kosovën). Kështu më 10 maj Veseli rrëzoi përfundimisht Mustafën, ani pse deri atë ditë ishte në bashkëqeverisje me të.

Për rrëzimin e Qeverisë votuan hiç më pak se 78 deputetë. Kështu Kuvendi u shpërbë dhe vendi u nis drejt zgjedhjeve të parakohshme. Maji s’përfundoi me kaq. Më 16 maj Ramush Haradinaj bashkë me Nismën e Fatmir Limajt iu bashkuan PDK-së, ani pse deri në çastin e fundit kishin pasur vija të kuqe për të.

“Krahu i Luftës” (PDK-AAK-Nisma) nominoi për kryeministër shefin e tanishëm të ekzekutivit, Ramush Haradinaj. Ky koalicion i madh u arrit pak minuta para se të përfundonte afati zyrtar i KQZ-së për lidhjen e koalicioneve parazgjedhore. Ndërkohë, gjersa LDK-ja u bë bashkë me AKR-në e Alternativën, LVV-ja vendosi t’i hyjë garës zgjedhore (më 11 qershor) e vetme.

Qershori sjell fitoren e PAN-it, njëkohësisht dështimin e PDK-së

Fushata për zgjedhjet e parakohshme nacionale, që do të mbaheshin më 11 qershor, nisi si gjithnjë me premtime të parealizueshme. Liberalizimi i vizave për tre muaj (zotim i kryeministrit të tanishëm) ishte “qershia mbi tortë” në vlugun e këtyre zotimeve.

Megjithatë, koalicioni PAN (PDK-AAK-Nisma) arriti t’i fitojë zgjedhjet e 11 qershorit, por njëkohësisht shënoi humbje të madhe në raport me votat që këto parti kishin fituar veç e veç në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014, shkruan tutje Gazeta “Zëri” në edicionin special për Vitin e Ri.

Tri partitë politike parlamentare që u bënë bashkë në koalicion parazgjedhor nuk arritën të merrnin më shumë vota se PDK-ja që kishte marrë para tre vjetëve.

Revolucion elektoral shënoi vetëm lëvizja “Vetëvendosje”, e cila pa asnjë koalicion arriti t’i dyfishojë votat.

Prej korrikut Specialja e gatshme t’i niste aktakuzat

Gjykata Speciale prej fillimkorrikut (5 korrik) edhe ligjërisht u bë funksionale dhe e gatshme për t’i pranuar aktakuzat e Prokurorisë Speciale ndaj ish-eprorëve të lartë të UÇK-së, të cilët dyshohen për “krime lufte”.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, David Schwendiman, që nga fillimi i korrikut kishte të drejtën të fillonte me ngritjen e aktakuzave ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Kjo meqë më 28 qershor Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese shpalli aktvendimin pozitiv për rregullat e rishkruara të Rregullores së Procedurës dhe të Provave të Gjykatës Speciale. Me këtë rast qe bërë e ditur se këto rregulla ishin në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës.

Gushti shënoi dështimin e Veselit

Ndonëse zgjedhjet ishin mbajtur në pjesën e parë të muajit qershor, institucionet nuk ishin formuar as në muajin korrik. Koalicioni fitues PAN tek në gusht kishte vendosur t’i testonte numrat. Por, e vërtetoi dështimin. Ndonëse seanca ku do të konstituohej Kuvendi pritej të mbahej më 3 gusht, koalicioni nuk pati dhënë detaje për numrat as edhe një ditë para.

Përkundrazi, për dy muaj drejtuesit e koalicionit PAN deklaronin vazhdimisht se i kishin numrat e nevojshëm në Kuvend për ta zgjedhur kryeparlamentarin dhe për ta formuar Qeverinë. Por, në tentativën e tyre të parë ata nuk i kishin numrat as për ta shtyrë seancën për dy orë e lëre më për ta “rehatuar” Kadri Veselin.

E vetmja votë e tyre e “kontrabanduar” ishte Teuta Rugova, shkruan “Zëri”.

Koalicioni PDK-AAK-Nisma (PAN) dështoi ta zgjidhte Kadri Veselin kryetar të Kuvendit të Kosovës në seancën e ftuar më 3 gusht, duke i demantuar kështu drejtuesit e këtij koalicioni se i kishin votat e nevojshme të deputetëve.

Shtatori ribën Haradinajn kryeministër, Veselin kryeparlamentar

Tek tre muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve nacionale koalicioni PAN arriti t’i konstituojë institucionet e vendit. Më 7 shtator i nominuari i këtij koalicioni për kryetar të Kuvendit, Kadri Veseli, arriti ta rimarrë pozitën e kryekuvendarit.

Por, për dallim nga mandati i parë kur kishte marrë 74 vota të deputetëve, ai këtë herë mezi ia pati dalë t’i siguronte 62 sosh.

Pas shtatë dështimeve tentimi i tetë me radhë për ta finalizuar seancën konstituive gjatë 7 shtatorit kurorëzoi liderin e PDK-së, Kadri Veseli, me epitetin “Kryeparlamentar”.

Veseli ndonëse edhe në legjislaturën e kaluar ishte në këtë pozitë nuk e pati fare të lehtë që të rikthehej në krye të Kuvendit. Përkundrazi, ishin bërë gati 3 muaj prejse koalicioni PAN pati nisur luftën për sigurimin e votave dhe shpëtimtari i tij, më në fund, u bë AKR-ja e Behgjet Pacollit (pasi u shkëput nga koalicioni me LDK-në dhe me Alternativën) dhe votat e deputetëve të Listës Serbe.

Dy ditë pas (9 shtator) PAN-i me vota minimale arriti ta ribëjë edhe Ramush Haradinajn kryeministër, përcjell “Zeri.info”.

Tetori, rikthimi i fuqishëm i LDK-së

Zgjedhjet lokale të 22 tetorit rikthyen fuqishëm LDK-në si partinë e parë më të votuar në vend. Për dallim prej zgjedhjeve nacionale, ku kjo parti u rangua e treta, pas PAN-it e LVV-së, tetori i solli më së shumti komuna të fituara.

Partia e Isa Mustafës fitoi mbi 210 mijë vota, duke lënë prapa PDK-në, që fitoi rreth 150 mijë vota dhe “Vetëvendosjen” me afro 130 mijë vota. LDK-ja u radhit si partia që fitoi më së shumti komuna pa balotazh, kurse në katër prej shtatë komunave kryesore të vendit siguroi edhe rundin e dytë.

Rritje në krahasim me zgjedhjet e fundit lokale të 2013-ës shënoi edhe lëvizja “Vetëvendosje”, megjithëse jo aq sa qe pritur pas rezultatit të zgjedhjeve nacionale. Përveç Prishtinës, “Vetëvendosja” në tetor siguroi balotazhin edhe në disa komuna të tjera.

Nëntori, rrëzimi i PDK-së në balotazh

Rundi i dytë i zgjedhjeve lokale (19 nëntor) rrëzoi edhe një herë PDK-në. Nëntori radhiti PDK-në si humbësen më të madhe në garën e balotazhit. Kjo e fundit pas disa vitesh nën administrim humbi Prizrenin, apo siç e quante ndryshe “Jerusalemin” e saj.

Fitoren e vetme në shtatë qendrat e mëdha, pavarësisht humbjes së disa bastioneve, e shënoi në Ferizaj. PDK-ja në këto zgjedhje i humbi edhe disa bastione të saj: Klinën, Vushtrrinë dhe Rahovecin, transmeton “Zeri.info”.

Në të parën ka fituar kandidati i AAK-së, ndërsa në të dytën ai i LDK-së. Kurse lëvizja “Vetëvendosje” arriti t’i fitojë dy qendrat më të mëdha, Prishtinën dhe Prizrenin. Aleanca doli të jetë fituesja më e madhe e balotazhit, përderisa LDK-ja priu me numrin e komunave të fituara.

Dhjetori, shpërthimi kundër Speciales dhe përplasja mes LVV-së

Muaji i fundit i këtij viti nisi me publikimin e raportit të Komisionit të Ri për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi. Me këtë rast Qeveria e Kosovës mori vendim që Marrëveshjen aktuale të Demarkacionit (të nënshkruar para më shumë se dy vjetësh) ta dërgonte në Kuvend.

Bashkë me të Qeveria vendoi që në Parlament ta niste edhe raportin përfundimtar të Komisionit të Ri Shtetëror për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi (të drejtuar nga Shpejtim Bulliqi), shkruan “Zëri”.

Lëvizja “Vetëvendosje” u nda në dy taborë të brendshëm pas publikimit të disa bisedave mes deputetëve (8 dhjetor), teksa deputetja Aida Dërguti shihej ta kishte ofenduar ish-liderin Albin Kurti.

Ndërkaq dhjetori si muaji i fundit i vitit që po lëmë pas përfundoi me një “kryengritje” të krerëve institucionalë (Thaçit, Haradinajt e Veselit) kundër Gjykatës Speciale.

Më 22 dhjetor 43 deputetë mblodhën nënshkrimet e tyre për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale. Mirëpo një gjë e tillë dështoi meqë Kryesia nuk pati kuorum dy herë radhazi për të mbajtur mbledhje e për ta caktuar seancën e jashtëzakonshme, ku pritej të finalizohej një gjë e tillë.