Vijojnë përplasjet, rëndohet bilanci i viktimave në Rripin e Gazës

Mijëra palestinezë në Gaza marshuan drejt kufirit izraelit, në nisje të një proteste gjashtëjavore, ndërsa përballja dhe përleshjet s’mund të mungonin.

Autoritetet palestineze raportuan se të paktën 16 persona janë vrarë dhe 750 të tjerë u plagosën, nga plumbat e ushtrisë izraelite.

Palestinezët kanë ngritur 5 kampe përgjatë kufirit për protestën, e cila është pagëzuar me emrin “Marshimi i madh i kthimit”.

Ata kërkojnë që refugjatët të lejohen të kthehen në shtëpitë e tyre, që tani janë në Izrael. Por, Izraeli e cilëson protestën një mbulim për sulme terroriste dhe për shkelje masive të kufirit.

Përfaqësues të palestinezëve thanë se Izraeli po përpiqet t’i trembë ata me plumba, por u zotuan se nuk do të falin as edhe një centimetër të tokës palestineze.

Palestinezët kërkojnë prej kohësh të drejtën që të kthehen në tokat e tyre, që tashmë janë brenda shtetit izraelit, por Izraeli thotë se ata duhet të vendosen në një shtet të ardhshëm palestinez në Gaza dhe Bregun Perëndimor.