Vetëvendosje “i njeh” paratë e Republikës, por jo edhe simbolet

Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, zakonisht, përmes deklaratave kanë thënë se nuk i njohin simbolet e Kosovës. Njëjtë ka ndodhur në Kongresin e partisë së Behgjet Pacollit.

Lideri i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, dhe deputetja e ardhur nga AAK-ja, Donika Kadaj- Bujupi, nuk u ngritën në këmbë për të nderuar himnin e Kosovës, raporton KTV.

Kjo e fundit, nuk kishte vepruar njëjtë vite më parë sa ishte pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje, ndërkaq, përdor simbolet e Republikës së Kosovës në momente të caktuara. Lidhur me ngjarjen e mbrëmshme, në Vetëvendosje nuk kanë pranuar të flasin.

Mirëpo, ky veprim i deputetëve të kësaj lëvizjeje, u kritikua ashpër nga analistë të ndryshëm.

Petrit Zogaj nga Lëvizja “FOL”, ka shkruar se “Visar Ymeri është një politikan bosh, i pakoncept dhe imitues i dobët i Liderit”.

Derisa zyrtarë të së njëjtës parti, në vazhdimësi, kanë mohuar ekzistimin e shtetit të Kosovës, ata brenda një viti marrin qindra mijëra euro nga buxheti i shtetit.