Vetëvendosje: Haziri po fle në vend që ta hetojë mishin e prishur

Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, kanë shpalosur sot para zyrës së kryetarit të komunës, banerin me mbishkrimin “Shhhht! Luta po flenë”.

Kështu kjo parti ka shprehur qëndrimin se Lutfi Haziri i LDK-së, në këto gjashtë muaj në krye të qytetit, vetëm ka fjetur, krahas punëve që duhet bërë.

Këtu si kritikë u përmend edhe tema e importimit të mishit me afat të skaduar.

“Në të gjithë Kosovën kudo po hetohet çështja e mishit të prishur të importuar, ndërsa Gjilani nuk qanë hallin kush çfarë sjellë për qytetarët, sepse nuk ka as inspektorë sanitarë, sepse nuk ka as Drejtori të Inspeksionit tash e katër vjet”, thuhet aty ndër tjerash.

Sipas tyre, mos puna e Hazirit po u faturohet qytetarëve.

“Kryetari Haziri ka hyrë në muajin e pestë pas zgjedhjeve lokale, ndërsa ai ende nuk e ka qeverinë e tij. Madje ka filluar si në mandatin e kaluar me ushtrues detyre në të gjitha drejtoritë e komunës, përderisa për shkak të qeverisjes “së mirë” të tij, ish drejtorët e Lutës tash po “shpërblehen” me aktakuza”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.

Vetëvendosje është e mendimit se qeverisja e Hazirit ka shkatërruar Gjilanin.