Vetëvendosje dhe LDK pajtohen për të qeverisur së bashku

Osmani dhe Kurti kanë bërë të ditur se kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka zhvilluar një takim me kandidaten e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmanin dhe liderin e partisë Isa Mustafa.

Takimi ka qenë cak për të diskutuar rreth formimit të qeverisë mes dy partive fituese të zgjedhjeve, raporton lajmi.net.

Osmani dhe Kurti kanë bërë të ditur se kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje.

“Ne sapo zhvilluam takimin për diskutuar bashkëpunimin pas një procesi të mirë. Kemi diskutuar në nivel parimeve. Të dy partitë treguan vullnetin e mirë për të qeverisur bashkë. Ka disa gjëra me të cilat filluam diskutimeve, sa i përket një qeverie që do të reduktohet sa i përket numrit të ministrive, por do të rritet sa i përket punës së mirë që do të bëhet. Iu mbetet partive që diskutohen për detajet. Po presim edhe numërimin e të gjitha votave, para se ta arrijmë marrëveshjen finale. Ka vullnet të mirë në të dy partitë”, ka thënë Osmani.

Edhe Kurti e ka theksuar se marrëveshja është arritur, por deri më tani nuk është diskutuar për emra të përveçëm dhe poste.

“Kosova ka humbur shumë kohë dhe pritja e qytetarëve është shumë e madhe. Kemi nisur bisedim për një qeveri sa më efikase e shtet të fuqishëm. Jemi dakorduar që 30% do të ketë përfaqësim gjinor si ministre ashtu edhe në zëvendësministre”, ka thënë ai pas takimit.

Më pas ka theksuar se në ditët në vazhdim do të ketë takime të tjera me LDK-në për të diskutuar rreth programit qeverisës.