Vetëvendosja prin me deputetë prishtinas, LDK-ja me pejanë

Komunat të cilat nuk do të kenë asnjë përfaqësues të tyre në Kuvendin e Kosovës: Kaçaniku, Vitia, Hani i Elezit, Obiliqi dhe Fushë Kosova. Asnjëri nga kandidatët e këtyre komunave për deputetë nuk ka arritur të marrë vota të mjaftueshme për t’u bërë pjesë e Kuvendit të Kosovës, shkruan gazeta “Zëri”

Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e 6 tetorit si fituese ka arritur të marrë 32 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Nga Prishtina 8 kandidatë kanë arritur të marrin vota të mjaftueshme për t’u bërë deputetë të Kuvendit të Kosovës nga ky subjekt, nga Komuna e Gjakovës do të jenë 4 deputetë, Komunën e Gjilanit, të Ferizajt dhe atë të Prizrenit po ashtu do t’i përfaqësojnë nga 4 deputetë, nga Podujeva Vetëvendosja do të ketë 2 deputetë, nga Skenderaj një, nga Vushtrria dy, një nga Peja, një nga Suhareka dhe një nga Kamenica, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit ka dalë partia e dytë në vend, ku ka arritur të marrë gjithsej 29 deputetë. Vetëm nga qyteti i Pejës ulëse fituan 5 deputetë. Në anën tjetër, deputetët nga komuna e Prizrenit, e Gjilanit dhe e Lipjanit prijnë me gjithsej 9 ulëse në përbërjen e re të Grupit Parlamentar të LDK-së. Nga dy deputetë kjo parti do t’i ketë nga Komuna e Prishtinës, e Mitrovicës, e Gjakovës, e Podujevës dhe e Istogut. Ndërsa komunat në të cilat LDK-ja mori vetëm nga një deputet janë: ajo e Rahovecit, e Skenderajt, e Deçanit, e Vushtrrisë dhe e Suharekës.

SHPËRNDAJE