Vetëm 35.13 për qind e qytetarëve votuan në Maqedoninë Veriore deri në ora 17:00

Komisioni Shtetëror Zgjedhor njoftoi se deri në orën 17:00, në 79.73% të vendvotimeve të përpunuara, kanë votuar 35,13% të votuesve, ose 496 774 votues.

Dalja më e lartë e votuesve është në Komunën e Kriva Pallankës me 57,82%, Komunën e Demir Kapisë 52,78% dhe Komunën e Demir Hisarit me 51.94 %.

Ndërsa përqindja më e ulët e votimit është në Komunën e Likovës me 13.55%, në Zhelinë 13.62% dh3 në Qendrën Zhupë 13.67%.

Nga KSHZ-ja njoftojnë se nëse vazhdon ky ritëm i votimit, deri në ora 19:00 do të votojnë rreth 600 mijë votues.

Ndërsa në zgjedhjet e parakohshme lokale, në Komunën e Ohrit dalja e votuesve është 44.74%, në Dibër 36.31% dhe në Komunën e Novo Sellës 41.93%.

Lidhur me 10 ankesat e parashtruara nga qytetarët për të drejtën e votimit, në seancën që KSHZ mbajti në ora 16:00, janë refuzuar të gjitha ankesat, raporton AlsatM.

Kjo për shkak se siç njoftojnë nga KSHZ, qytetarët që kanë parashtruar ankesat nuk janë paraqitur gjatë thirrjes publike për tu regjistruar në listën zgjedhore por edhe kanë pasur letërnjoftime me afat të skaduar.