Veseli paralajmëron seancën për buxhetin më 31 janar

Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e sotme ka vendosur që të hënën (21 janar) të mbahet seanca plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Me këtë seancë shënohet edhe fillimi i punimeve për sesionin pranveror të Kuvendit për këtë vit, raporton Indeksonline. Në rend dite për seancën e radhës nuk parashihet buxheti për vitin 2019, që dështoi të miratohej në vitin e kaluar. Ndërsa kryeparlamentari Kadri Veseli i paralajmëroi deputetët që të përfundojnë të gjitha procedurat nëpër komisionet parlamentare për projektligjin e buxhetit dhe paralajmëroi se javën tjetër pastaj do të ftohet seanca e re për datën 31 janar ku do të miratohet buxheti i vitit 2019 dhe statuti i Trepçës.