Veseli: Kosova qëndron përkrah vendeve perëndimore, të drejtuara nga SHBA-ja

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, mori pjesë dhe mbajti fjalë rasti në Konferencën e katërt të ambasadorëve të Republikës së Kosovës, e cila po i zhvillon punimet në Prishtinë.

Gjatë fjalës së tij para përfaqësuesve diplomatikë të shtetit të Kosovës, kryeparlamentari Veseli e konsideroi këtë konferencë një traditë të mirë, të kultivuar tashmë në Kosovë, e cila krijon mundësi për diskutimin e sfidave të cilat e preokupojnë shtetin e Kosovës dhe adresimin e tyre.

“Nga viti në vit, Republika e Kosovës është duke u konsoliduar, zgjeruar dhe profesionalizuar në diplomacinë e vet. Por, vështirësitë ende janë të mëdha. Vështirësitë buxhetore nuk duhet t’ju demotivojnë në punën tuaj, përkundrazi. Kjo duhet të jetë një shtysë edhe më e madhe në angazhimet diplomatike për përfaqësimin dhe promovimin e shtetit të Kosovës në vendet respektive”, theksoi Veseli.

Në vazhdim të fjalës së tij, Veseli foli për të arriturat e shtetit të Kosovës në zgjerimin e njohjes së pavarësisë së saj dhe konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar, por njëkohësisht, u ndal edhe te sfidat të cilat vazhdojë ta përcjellin atë në këtë proces. Ai kërkoi nga ambasadorët që të rrisin angazhimet e tyre në procesin e ardhshëm të votimit për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Veseli tha se aktualisht, bota është duke u sfiduar në segmente të ndryshme.

“Janë momente sfiduese për tërë njerëzimin, natyrisht edhe për Kosovën. Orientimi ynë kundër terrorizmit është shumë i qartë. Ne qëndrojmë përkrah vendeve aleate perëndimore, të drejtuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, theksoi Veseli, duke përgëzuar institucionet e sigurisë për punën e tyre në parandalimin e sulmeve terroriste, të cilat mund të ndodhnin.

Gjatë këtij adresimi, Veseli, një theks të veçantë i kushtoi nevojës së intensifikimit të diplomacisë ekonomike dhe rritjes së investimeve të huaja në vendin tonë.

“Kosova ka pak investitorë të huaj dhe një bilanc tregtar shumë negativ. Prandaj, angazhimi dhe roli juaj në këtë drejtim do të ishte kontributi më i madh për Republikën e Kosovës në këtë fazë”, theksoi kreu i Kuvendit të Kosovës.