Veseli: Kosova do paqe, por kriminelët nga Serbia duhet të dënohen

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka vizituar sot vendin ku ruhen eksponatet e rrobave të të vrarëve në luftën e fundit në Kosovë.

Kryeparlamentari Veseli ka parë nga afër rrobat e fëmijëve të vegjël të vrarë, rrobat e vajzave të masakruara dhe rrobat e të moshuarve deri në 106 vjeç të cilët janë vrarë e masakruar nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.

Kryetari i Kuvendit tha se Kosova nuk do konflikt, do paqe, do të ardhme, por do edhe drejtësi dhe siç tha ai, kjo drejtësi duhet dhe do të ndodhë.

“Më askush nuk guxon të na e bëjë atë që na e ka bërë. Dhe drejtësia do të ndodhë. Në Jerusalem, në Muzeun e Yad Vashemit, është një pirg i madh me flokë të viktimave. Nëse shkoni në Poklek, aty do t’i gjeni 56 persona në një varr. Ky është Holokausti. Do të jetë e pafalshme nëse bashkësia ndërkombëtare nuk e përkrah iniciativën për tribunal ndërkombëtar për Serbinë. Për aq sa ka njerëz mbi këtë tokë, dritë dhe diell, do të ketë edhe drejtësi dhe tribunal për gjenocidin serb”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Ai tha se të gjitha këto rroba të mijëra civilëve të vrarë nga forcat serbe, do të vendosen në Muzeun e Gjenocidit i cili do të ndërtohet në Prishtinë.

Nga ana tjetër, drejtori i institutit të mjekësisë ligjore, Arsim Gërxhaliu ka falënderuar kryeparlamentarin Veseli për inciativën për Muzeun e Gjenocidit ndërsa theksoi se janë në dispozicion të mbështetjes dhe dorëzimit tē të gjitha artefakteve dhe dëshmive që ekzistojnë për zbardhjen e fatit të gjithë civilëve stë vrarë nga forcat serbe në Kosovë.