Veseli: Do ta ndalim korrupsionin tek lejet e ndërtimit dhe ndërtesat pa leje

Kandidati i PDK-së për Kryeministër të ardhshëm të Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar studentë dhe profesorë të arkitekturës, me të cilët ka diskutuar planin e tij kundër korrupsionit dhe legalizimin e 350 mijë objekteve pa leje, të cilat që nga paslufta janë të bllokuara si kapital i qytetarëve që ka vlerën prej treth 10 miliardë euro dhe nuk mund të përdoret si kapital formal.

Nëpërmjet videoje të publikuar në Facebook, Veseli shpjegon para studentëve planin e tij, i cili përveç që pritet tu mundësojë qytetarëve marrjen e certifikatave të pronësisë, po ashtu do të jetë plan për luftimin kundër korrupsionit në fushën e ndërtimeve dhe lejeve ndërtimore, transmeton lajmi.net.

“Çështja e ndërtimeve pa leje dhe ajo e lëshimit të lejeve të reja të ndërtimit janë ndër më problematiket për sa i përket korrupsionit. Me studentë e profesorë të arkitekturës diskutova për Planin Kundër Korrupsionit i cili do eliminojë mundësitë për korrupsion duke legalizuar ndërtesat pa leje dhe krijuar sistemin e centralizuar dhe automatizuar të lëshimit të lejeve elektronike të ndërtimit”, ka shkruar Veseli në faqen e tij në Facebook.