Veseli dhe Danielsson flasin për liberalizimin e vizave

Kryeparlamentari Veseli e njoftoi Drejtorin e Përgjithshëm Danielsson për angazhimet e institucioneve të Kosovës dhe të Kuvendit në veçanti, për përmbushjen e kritereve që kanë të bëjnë me agjendën evropiane.

Në këtë funksion, kryetari Veseli foli edhe për punën që Kuvendi ka bërë dhe po bën aktualisht në përmirësimin e infrastrukturës ligjore, sidomos në legjislacionin që ka të bëjë me sundimin e rendit e të ligjit, si dhe integrimet evropiane.

Kreu i legjislativit e njoftoi Danielsson edhe për përkushtimin e vazhdueshëm të institucioneve të vendit për reforma në sektorin ekonomik, në funksion të ngritjes së mirëqenies së qytetarëve të Kosovës dhe hapjes së vendeve të lira të punës.

Kryetari Veseli theksoi nevojën e përmbylljes sa më të shpejtë të procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën, duke u mundësuar qytetarëve të saj lëvizjen e lirë në zonën Shengen.

Drejtori i Përgjithshëm i Komisionit Evropian, Christian Danielsson, nënvizoi rolin e rëndësishëm që Kuvendi duhet të luaj në zbatimin e reformave, në procesin e integrimit evropian.

Ai tha se Kosova duhet të plotësojë kriteret e mbetura, miratimi i demarkacionit me Malin e Zi, si dhe forcimi i regjistrit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në takim, një theks i veçantë iu kushtua zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, proces ky i një rëndësie të veçantë për Kosovën dhe marrëdhëniet midis saj dhe Bashkimit Evropian.