Veriu nuk i do targat e Kosovës

Serbët që jetojnë në Veri të Kosovës, në veturat e tyre vazhdojnë të mbajnë ende targat ilegale serbe me iniciale të qyteteve të Kosovës (KM, PR etj), pastaj targa të qyteteve të Serbisë, por ka edhe vetura të shumta që janë pa targa fare.

Megjithëse vite më parë institucionet patën nisur konfiskimin e targave serbe në atë pjesë, qytetarët e komunitetit serb ende nuk përdorin targa të Republikës Kosovës për automjetet e tyre.

Këtë e tregon edhe numri i veturave të regjistruara nga qytetarët që jetojnë në këtë pjesë.

Në një prononcim për Indeksonline, Ministria e Punëve të Brendshme ka thënë se gjatë vitit 2017 vetëm në komunën Mitrovica Veriore, automjete të regjistruara, vazhduara, riregjistruara brenda vitit 2017 kanë qenë 552.

Ndërsa vetëm këtë vit, automjete të regjistruara, vazhduara, riregjistruara në Mitrovicën Veriore janë 136.

“Automjete të regjistruara, vazhduara, riregjistruara brenda 2017 janë 552. Automjete të regjistruara, vazhduara, riregjistruara brenda 2018 janë 136”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Kjo tregon se numri i qytetarëve të kësaj ane që përdorin targat e Kosovës janë mjaftë i vogël, duke e pasur parasysh numrin e banorëve që jetojnë në këtë pjesë.

Sipas statistikave të fundit të OSBE të vitit 2015, popullsia e komunës së Mitrovicës Veriore ishte 29,460 banorë.

Shumica e kësaj komune përbëhet nga serbë të Kosovës, dhe një pjesë të vogël nga shqiptarët.

Në anën tjetër, sipas Policisë së Kosovës gjatë janarit dhe shkurtit të vitit 2018, në Mitrovicën Veriore janë shqiptuar 1070 tiketa, numër ky tejet i vogël në krahasim me vendet tjera.